Familjarët e dëshmorëve kanë shprehur kritikën për zvarritjen e rregullimit të kompleksit. E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kompleksi do të ndihmojë në ruajtjen e kujtesës kolektive. Në mëngjesin e 18 prillit të vitit 1999, forcat serbe vranë 17 ushtarë e 12 civilë
Zeqir Haxholli e ka të freskët ende momentin kur forcat serbe ia vranë vëllain dhe nipin e tij në fshatin Marec të Prishtinës.
Në ditën e përurimit të Kompleksit Memorial të Dëshmorëve dhe Martirëve në fshatin Marec, të dielën, ai ka shprehur kritikën që u deshën 25 vjet që komuna të krijojë një hapësirë meritore për të përkujtuar sakrificën e të rënëve për liri.
“Më 18 prill ka ardhur ofensiva dhe e kanë vrarë vëllain natën. Këto varreza tek sot kanë qenë të mjerueshme qe 25 vjet, kryetarët e komunës kanë qenë rend prej Isa Mustafës kush nuk i ka ndrequr”, ka thënë Haxholli.
Ka katër vjet qëkur tenderi i parë u hap për rregullimin e këtij kompleksi.
Keqardhje për këtë shprehur edhe drejtori i Sektorit për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së në komunën e Prishtinës, Sylë Vitia.

“Njoha patriotizmin tyre, forcën, gatishmërinë për të dhënë jetën për atdhe. I ndjeva po ashtu edhe dhimbjet e tyre nga plagët e marra por e ndjeva edhe fjalët e fundit të tyre që edhe sot i kam të freskëta në mendjen tim. Po ashtu, për mua emocion i madh është fakti që në këtë përurim të këtij kompleksi shumë prindër të dëshmorëve dhe martirëve nuk janë në mesin tonë. Nuk arritën të shohin se eshtrat e tyre po prehen në një vend këtu siç ata e meritojnë”, ka thënë ai.
Ish-komandanti i Brigadës 153, që funksionoi në këtë zonë, Fatmir Sopi, ka thënë se sakrifica e dëshmorëve duhet të kujtohet përherë.
“Në ballë të betejës të parët ishin këta dëshmorë që i vlerësojmë sot me monumentin e tyre, të cilët gjakun tyre e vendosën mu në themelet e lirisë, e të pavarësisë që po e gëzojmë sot. Ata janë më meritorët që lufta jonë doli fituese karshi forcave serbe. Ushtria Çlirimtare e Kosovës në luftën e saj të drejtë dhe të pastër dhe çlirimtare”, ka theksuar Sopi.
E kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se kompleksi do të ndihmojë në ruajtjen e kujtesës kolektive.
“Ky është më shumë se një kompleks memorial është një monument i kujtesës tonë kolektive, tashmë eshtrat e dëshmorëve tanë e kanë një vend të denjë dhe meritorë ku do të prehën e të rrethuar nga mirënjohja e brezave të sotëm dhe atyre të nesërmen. Ky kompleks do të qëndrojë si dëshmi e përjetshme e sakrificave të dëshmorëve dhe si një përkushtim i palëkundshëm ndaj trashëgimisë që na lanë”, është shprehur Rama.
Në mëngjesin e 18 prillit të vitit 1999, forcat serbe filluan ofensivën në rajonin e Prishtinës duke u përpjekur që të rrethojnë plotësisht brigadat e UÇK-së. Në këtë betejë, në Marec u vranë 17 ushtarë dhe 12 civilë.