Arbëri

Frikë nga një status-quo e re në veri

Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës nuk duhet të shtyhen, pavarësisht kërkesave që mund të vijnë nga bashkësia ndërkombëtare, vlerësojnë njohës të çështjeve politike. Në të kundërtën thonë se do të krijohej status-quo e re. E, tek kanë folur për tensionet dhe cenimin e sigurisë në këtë pjesë, ata kanë theksuar se kjo po bëhet për të penguar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit

Me gjithë djegien e veturave e sulmet ndaj Policisë së Kosovës, analistë politikë thanë të shtunën se shtyrja e zgjedhjeve për kryetarë të komunave në veri nuk duhet të jetë opsion.

Me kërkesë të ndërkombëtarëve, Kosova ka shtyrë fundvitin e shkuar datën e zgjedhjeve.

E profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri, thekson se një kërkesë e ngjashme nuk bën të përsëritet.

“Çdo kërkesë tjetër për një shtyrje tjetër në fakt do të ishte një konfirmim i një status-quo-je të re në veriun e Kosovës dhe fillim i një faze që me gjasë, nuk do të jetë shumë e favorshme për Republikën e Kosovës, për sigurinë e saj dhe në veçanti për veriun e vendit. Këtë nuk besoj që mund ta kërkojë bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Imeri.

Në fund të muajit të shkuar, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës, më 23 prill. Për dallim nga hera e shkuar kur këto shtete patën bërë thirrje për shtyrje zgjedhjesh, ambasadat e QUINT-it kanë pranuar se zgjedhjet do të mbahen.

Në një deklaratë të publikuar të premten, shtetet e QUINT-it kanë thënë se zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe se “është thelbësore që të sigurohet që ato të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt”.

“Na vjen keq që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen e shmangin dhunën, që mund t’i pengojë zgjedhjet”, thuhet në deklaratë.

Ligjëruesi i shkencave politike, Basri Muja, thotë se një shtyrje e re e datës nuk do të duhej të bëhej pa një kundërvlerë të madhe.

“Kosova në situatë të tillë do të duhej të kërkonte një kundërshpërblim për këtë shtyrje, pra të mos ketë shtyrje pa kufi, pa asnjë obligim të pjesës tjetër, por kjo të materializohej në një mënyrë më të mirë”, ka thënë Muja.

Një ditë më parë, Lista Serbe është vënë në thumb të kritikave nga aktivistë politikë të opozitës në veri dhe në Beograd. Në një konferencë në Çagllavicë, ata kanë thënë se është mbjellë ambient frike në prag të zgjedhjeve dhe kritikuan edhe politikat e Qeverisë së Kosovës, nëpërmjet të cilave, sipas tyre, po fuqizohet Lista Serbe.

Analistët politikë thonë se tensionet e krijuara në këtë pjesë po bëhen jo vetëm për zgjedhjet, por edhe për të mos i dhënë mundësi zbatimit të marrëveshjeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Basri Muja thotë se marrëveshja e arritur nën presionin e BE-së nuk është e favorshme për Serbinë, prandaj krijohen tensione.

“Unë mendoj që krejt kjo lojë e Qeverisë së Serbisë dhe satelitit të saj, Listës Serbe, ka për qëllim mosimplementimin e marrëveshjes së shkurtit, përkatësisht aneksit të saj të marsit të këtij viti. Serbia, përkatësisht Lista Serbe, ka shtruar kërkesat të cilat janë pothuajse të parealizueshme”, ka thënë ai.

Edhe Imeri, mban të njëjtin mendim dhe thotë se kjo është strategji e Serbisë, të cilën e implementon përmes veriut.

“Ky është një plan strategjik serb qëllimi i të cilit është që ta ndryshojë rendin politik dhe kushtetues në veriun e Kosovë. Në njërën anë do të pengojë zbatimin e marrëveshjes që është arritur më herët – e kam fjalën për marrëveshjen e Brukselit, respektivisht planin e veprimit që është arritur në Ohër – sikundër ta paraqesë veriun si një situatë e jashtëzakonshme”, ka thënë Imeri.

Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave veriore pritet të mbahen më 23 prill. Në to nuk do të marrë pjesë Lista Serbe e cila ka udhëhequr me të katër komunat deri më 6 nëntor kur braktisi institucionet lokale e qendrore.

Për vendimin e Listës Serbe, kryeministri Albin Kurti ka thënë se “kjo është shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”, si dhe ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta dënojë “shkeljen e shpejtë të Marrëveshjes Themelore”.

Në anën tjetër, Lista Serbe ka shprehur qëndrimin se vendimi i saj për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës është “si pasojë e dhunës së vazhdueshme institucionale të ushtruar ndaj popullit serb nga regjimi i Albin Kurtit, duke privuar serbët nga të gjitha të drejtat”.

Komunat veriore janë pa kryetarë që nga dorëheqja e serbëve në nëntor të vitit të shkuar, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave ilegale.

Zgjedhjet për komunat veriore fillimisht ishte paraparë të mbaheshin në mes të dhjetorit. Atë kohë ato u shtynë për në prill pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare, në kohën e tensioneve.