Arbëri

“Frika” nga 14 shkurti i mobilizon herët partitë për zgjedhje komunale

Me përfundimin e zgjedhjeve parlamentare, partitë politike kanë nisur mobilizimin për një palë zgjedhje tjera, ato lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Bërja publike e disa kandidatëve për kryetarë gjashtë muaj para zgjedhjeve, sipas Iniciativës për Progres, tregon frikën e partive se rezultati i zgjedhjeve qendrore mund të reflektojë në ato komunale.

“Përkundër se ka ardhur si pasojë ndoshta e frikës kushtimisht që të mos përsëritet skenari i zgjedhjeve qendrore edhe në aspekt lokal pra kanë ardhur këto kandidatura. Nëse i shohim kandidatët janë mjaft serioz dhe kanë të kaluar serioze e respektive”, ka thënë Qëndrim Arifi nga kjo iniciativë.

Kurse në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale thonë se rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, pritet të ndikojë në përqindjen e votave në komuna të caktuara, por jo shumë në ndryshimin e pushteteve.

“Kemi qenë dëshmitarë se partitë të cilat nuk kanë qenë në pushtet në nivelin qendror kanë arritur të marrin qeverisjen në shumë komuna. Kjo zakonisht ndodh me komuna më të vogla ku elektorati është më i lidhur me strukturën e partisë”, ka deklaruar Valmir Gashi nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.

Ndryshim të praktikës së rezultateve presin disa qytetarë.

“Këto ndryshime që kanë ndodhur në zgjedhje nacionale kanë me ndodhë edhe në zgjedhjet komunale, jam i bindur që ka me ndodhë”, ka thënë Ismet Gashi.

“Era e ndryshimit ka filluar, nuk ndalet ajo edhe në nivel komunal. Ndoshta, ndoshta jo si në nivel qendror por do të ketë”, është shprehur Arsim Krasniqi.

Gara kryesore pritet të zhvillohet për kryeqytetin. Për ta fituar Prishtinën, komunën me buxhetin më të madh në vend, AAK-ja ka shpallur kandidat Daut Haradinajn.

Kryetari aktual, Shpend Ahmeti, nuk ka një qëndrim të qartë sa i përket rikandidimit, derisa nga Lëvizja Vetëvendosje emri i vetëm që përmendet si kandidat është Arben Vitia.

Për dallim nga këto parti, brenda LDK-së janë disa figura si kandidatë potencialë për kryetar të Prishtinës, kurse PDK-ja pritet të garojë me Uran Ismailin.

“Qytetarët do duhej t’i besonin programit politik të kandidatit të caktuar dhe ta shohin atë kandidat larg përkatësisë politike, pra çfarë ai ofron për kryeqytetin, çfarë pritshmëri”, ka deklaruar Arifi.

Zgjedhjet e fundit komunale janë mbajtur në vitin 2017.