Arbëri

KOHA në Ukrainë (2): Frika e ushtrisë nga spiunët rusë

Shtatë kilometra nga qendra e qytetit ndodhet postblloku kryesor ushtarak. Të shumtë janë njerëzit që angazhohen për sigurinë e qytetit. E mes tyre është edhe Grenadi*. Ai nuk është ushtar. Është i veshur me rroba civile, ndërsa në kokë mban një shami të zezë. Nuk pranon që të flasë me KOHËN. Merr telefonin dhe e thërret dikë, e pastaj e drejton celularin. Matanë receptorit lajmërohet një zë gruaje nga radhët e ushtrisë. “Mos i incizoni, sepse mund t’i rrezikoni”, thotë ajo me qetësi, megjithëse urdhri që e jep është i prerë. Shefi i postbllokut del dhe e fotografon kartelën e punës. “Do ta verifikojmë”, thotë ai

Lviv, Ukrainë, mars – Pasditen e së hënës së 21 marsit, qyteti i Lvivit të Ukrainës në luftë dukej i gjallëruar. Nuk i ngjante qytetit të një shteti që po shkatërrohej. Qytetarë të shumtë po shiheshin të mbledhur në qendrën e qytetit. Pamja në shikim të parë i ngjasonte asaj të njerëzve të zakonshëm që pasditen e kalojnë në qendër të qytetit. Por përshtypja e gjallërisë zgjat shkurt.

Kur një jehonë e fuqishme nis, gjithçka ndryshon. Sheshi i Lvivit boshatiset.

Është jehona e alarmit që autoritetet shtetërore e aktivizojnë për t’i njoftuar qytetarët se rreziku që pushteti i presidentit rus, Vladimir Putin, ta bombardojë qytetin është i madh. E pas saj, në qendër mbesin vetëm gazetarët.

Garë për fjetje e ushqim

Lvivi është qytet me infrastrukturë të rregullt e objekte historike. Është një prej atyre që është goditur më pak nga lufta. Në të kanë gjetur strehë një pjesë e madhe e atyre që kanë ikur prej qyteteve të tjera ukrainase, që tashmë janë shkatërruar nga sulmet ruse. Në qendra të saj ndodhen disa hotele. Por në shumicën prej tyre nuk ofrohet mundësia as për të hyrë deri në holl.

Punonjësit e sigurimit, të cilët qëndrojnë përpara tij, tregojnë me mirësjellje se brenda nuk ka vende.

“Nuk ka vend të lirë tash e 10 ditë. Nuk e di se ku do të gjesh në këtë kohë, për shkak që edhe hotelet përreth janë të ngarkuara”, thotë një punonjës i sigurimit të hotelit “Panorama”, pas kërkesës së KOHËS për të gjetur një vend për fjetje.

Me një pasaportë të Kosovës, pa asnjë njeri që e njeh, në një qytet të stërngarkuar dhe që rrezikon të bombardohet nga momenti në moment, rreziku për të mbetur pa një vend qëndrimi është i madh.

Stacioni i trenit, i cili ndodhet disa kilometra larg qendrës, mbetet opsioni më i sigurt për ta bërë një gjumë të sigurt. Aty ka refugjatë të shumtë që qëndrojnë nga disa ditë.

Një gazetar danez, i cili po qëndronte në qendër të qytetit dhe po raportonte tash e një muaj nga Lvivi, ishte mësuar me mënyrën e funksionimit të qytetit. Ai e telefonon Qendrën e Gazetarëve që është e vendosur në Lviv dhe kujdeset për të gjithë reporterët e luftës. Pasi e mbyll telefonin, ngre dorën lart për të konfirmuar se zgjidhje kishte gjetur.

“E gjeta një vend, shpresoj që ke shumë para”, thotë ai.

Hotel “Lvivi” ndodhet në qendër të qytetit. Është i madh dhe nga jashtë duket i shkretë. Infrastruktura e saj dhe arkitektura e vjetër i ngjasojnë hotel “Grandit” të Prishtinës. Në dukje është aq i vjetër dhe i lënë pas dore saqë e ndjell përshtypjen sikur askush nuk ka shkelur këmbë në të për dekada. Në brendi të tij është një tjetër realitet. Hoteli strehon shumë më tepër njerëz sesa që ka kapacitete. Numër i madh i familjeve qëndrojnë në një dhomë të tij.

“Edhe ti gazetare a?”, pyet një vajzë që punon në recepsion. “Ke edhe kolegë të tjerë këtu, nga e gjithë bota”, vazhdon ajo tutje.

E pasi që e dorëzon çelësin e dhomës, nuk harron të japë një porosi.

“Po ta shkruaj, prej çfarë ore është shtetrrethimi. Të lutëm mos dil. Nuk lejohet as si gazetare. Ushtria kontrollon vazhdimisht”, thotë ajo.

Të njëjtën porosi e përçon edhe punëtori i sigurimit. “E ke vetëm edhe një orë, kur mund të dalësh jashtë. Me vonë nuk guxon të largohesh nga hoteli”, thotë ai.

Kati i gjashtë i hotelit nuk konsiderohet si i përshtatshëm në kohë lufte. E kjo kuptohet që në momentin e parë kur të ndizet alarmi paralajmërues. Kur ai aktivizohet, të gjithë vrapojnë për në katin e parë apo në bodrum.

“Gjumi” nën sirena

Ora tregon 21:45 të natës. Fillon alarmi. Nga brendia e dhomës dëgjohen hapa njerëzish që vrapojnë jashtë saj. Disa minuta më vonë, ata shihen tek rikthehen vetëm disa minuta pasi dëgjohet një tjetër alarm. Paralajmërimi i bërë në gjuhën ukrainase duket se lajmëronte që rreziku kishte kaluar.

Shtetrrethimi veçse kishte nisur. Në rrugën poshtë dritares së dhomës në katin e gjashtë shiheshin policë e ushtarë, si të vetmit që qarkullonin. Aty-këtu kalonte ndonjë veturë. Të vetmit që mund të dilnin në këtë orë ishin njerëzit që kishin urgjenca shëndetësore, si dhe vullnetarët që punonin pa orar për ushtrinë.

Alarmet e shpeshta e vështirësonin gjumin. Disa prej tyre dilnin të ishin alarm i rrejshëm për bombardime. Por në kohë lufte asnjëherë nuk dihet sigurt nëse rreziku është i vërtetë apo jo.

Mëngjesi agon disi. Kriza e përnjëmendtë e Lvivit reflektohet qartë atëherë kur zbret për kafjall.

Një restorant me interier të vjetër u është vënë në dispozicion për këtë qëllim me qindra njerëzve. Qysh në 9 të mëngjesit, aty asnjë tavolinë nuk është e lirë. Edhe ushqim duket se ka mjaftueshëm. Në meny janë përditë orizi, makaronat gjysmë të ziera dhe vezët në sy. Njerëzit presin në radhë për një pjatë e kohë për zgjedhje s’ka. Pas mbushjes së tabakut me ushqim, në radhë vjen kërkimi për piru e thikë. Edhe aty radha është e gjatë.

Frika nga agjentët rusë

Image

Radhë njerëzish shihen gjithandej qytetit. Numri i vullnetarëve është i madh. Disa syresh, të veshur me rroba civile, por me armatim e ruajnë qytetin, të tjerët ndihmojnë refugjatët. Një pjesë angazhohet në aktivitete profitabile për ta ndihmuar ushtrinë e pjesa tjetër kujdeset që bota të kuptojë se çfarë në të vërtetë po ndodh në Ukrainë. Një shtet i tërë punon për ushtri.

Shtatë kilometra nga qendra e qytetit ndodhet postblloku kryesor ushtarak. Të shumtë janë njerëzit që angazhohen për sigurinë e qytetit. E mes tyre është edhe Grenadi*. Ai nuk është ushtar. Është i veshur me rroba civile, ndërsa në kokë mban një shami të zezë. Nuk pranon që të flasë më KOHËN.

Merr telefonin dhe e thërret dikë, e pastaj e drejton celularin. Matanë receptorit lajmërohet një zë gruaje nga radhët e ushtrisë.

“Mos i incizoni, sepse mund t’i rrezikoni”, thotë ajo me qetësi, megjithëse urdhri që e jep është i prerë.

Shefi i postbllokut del dhe e fotografon kartelën e punës.

“Do ta verifikojmë”, thotë ai.

Njerëzit në Ukrainë janë të frikësuar se Rusia do të paguajë agjentë për qëllime të caktuara. Dyshime ngjallin të gjithë ata që sillen përreth pikave të ushtrisë. Krejt verifikohen. Verifikimeve të këtilla u është nënshtruar edhe ekipi i KOHËS, disa herë gjatë qëndrimit. Një prej tyre ishte shumë më i gjatë.

Image

Në Ukrainë, KOHA ka vizituar një nga pikat e ushtrisë. (Adresa e hollësitë e tjera nuk po jepen për shkak të ndjeshmërisë). Disa prej tyre, Rusia i kishte bombarduar pasi që mediat apo personat privatë i kishin ekspozuar ato. Kjo ka ndikuar që ligji të ashpërsohet ndaj personave që xhirojnë apo fotografojnë ushtrinë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka nënshkruar ligjin që e kufizon shpërndarjen e informacioneve rreth ushtrisë gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, e cila aktualisht është në fuqi.

Kushdo që e shkel këtë ligj mund të dënohet deri me 12 vjet burgim.

Më 21 mars, Shërbimi Sekret ukrainas e kishte ndaluar një person që në TikTok e kishte postuar vendndodhjen e forcave të armatosura në Kiev. Pak kohë pas postimit të videos, Rusia kreu një sulm me raketa në atë zonë, duke i lënë të vrarë tetë persona. Që prej asaj dite, frika e ushtrisë është rritur.

Në ditën e verifikimit të gjatë, ekipi i KOHËS kishte vizituar një pikë të caktuar, në të cilën i ishte lejuar hyrja. Brenda dhe jashtë kësaj qendre kishte shumë të rijnë e të reja që prisnin në radhë për t’u regjistruar ushtarë. Pjesa më e madhe ishin të rijnë. Posa kishin mbushur 18 vjeç.

Në çdo cep aty dhe afër çdo dere qëndronin nga 2 apo 3 ushtarë të armatosur. Kontrolli në hyrje ishte i rreptë. Vetëm pak minuta pasi KOHA largohet që aty dhe mbërrin në një qendër vullnetarësh, tetë ushtarë të armatosur e ndalojnë për kontrollim.

“Është procedurë e zakonshme. Mos u shqetëso”, thotë njëri nga ushtarët më të vjetër.

I marrin dy telefonat, atë personal dhe të punës. E kontrollojnë çdo fotografi, prej mijërash sa kishte në të. I shikojnë videot. Pesë nga ushtarët më pas dalin jashtë dhe i kontrollojnë telefonat edhe aty. Nuk gjejnë diçka të pazakontë. Megjithëkëtë, të qenit një grua gazetare dhe e vetme në Ukrainë ngjall dyshime.

“Na duhet edhe pasaporta juaj zonjë”, thotë njëri që duket së është eprori i shtatë të tjerëve.

Kontrolli pasaportës i bëhet në mënyrë të hollësishme. Vëzhgohet me një dritë speciale për të parë nëse është e falsifikuar dhe nëse ka vizë amerikane e polake.

Kur çdo gjë del të jetë në rregull, ushtarët kërkojnë falje. Arsyetohen me frikësohen se Rusia paguan njerëz të kamufluar për të marrë informata nga ushtria.

Të njëjtën procedurë e ndjek edhe Policia e Ukrainës. Kontrollin e bën hollësisht, në çdo hyrje e dalje. Ama nuk e kërkojnë dhe as s’pyesin për vizë të Ukrainës.

Dalja nga ky vend e shpërfaq më vete nivelin e lartë të sigurisë. As edhe një urë, rrugë a cep nuk është pa njerëz të uniformuar. Kontrollohet çdo lëvizje. Nën këtë vëzhgim sigurie, KOHA kthehet sërish në Lviv.

Porosia e gazetares së vrarë

Image

Javën e fundit të marsit, qyteti i Kievit po i nënshtrohej bombardimit të përditshëm. Gjysma e qytetit veçse kontrollohej nga rusët. E kur i gjithë qyteti braktisej nga qytetarët, gazetarët raportonin nga zonat e luftës.

Një përpjekje për ta bërë këtë e kishte edhe KOHA.

Mënyra më e lehtë për të mbledhur informata ishte vizita në Qendrën e Gazetarëve, ku janë të përqendruar me dhjetëra reporterë lufte. Ky vend, përveçse shërben si hapësirë e përbashkët e punës, gazetarët mund edhe të diskutojnë dhe të bëjnë plane për udhëtime të përbashkëta.

Aty, Asami Terajima, gazetare e “Kieve Independet”, e rekomandoi KOHËN që drejt Kievit të nisej në mbrëmje. Ajo tha se shoqërues për udhëtim mund të gjendeshin në grupin e komunikimit Telegram, ku ishin të përfshirë 30 deri në 40 gazetarë. Grupi ofronte informata logjistike për gazetarët që synonin t’i vizitonin zonat e bombarduara apo që po bombardoheshin. Rekomandimi ishte që udhëtimi të bëhej me tren, si mënyra më e sigurt. Atë ditë, nisja do të ishte në orën 20:00. Për udhëtim u lajmëruan shumë gazetarë. Njëra prej tyre ishte Oksana Baulina.

“Çfarë akreditimi ke?”, pyeti ajo KOHËN në grupin e komunikimit.

Për udhëtim në zonat e bombarduara nevojitej akreditimi nga ushtria. Por sigurimi i tij vonoi disa ditë.

“Nuk ta rekomandoj udhëtimin. Është shumë e pasigurt për ty të raportosh pa një akreditim të tillë”, vazhdoni ajo. Në grup kishte gazetarë që besonin se hyrja në kryeqytetin e bombarduar mund të bëhej edhe pa akreditim. Porse doli që Oksana Baulina pati të drejtë.

Në përpjekjen e KOHËS për të hyrë në tren, një ushtar e kërkon akreditimin.

“Më vjen keq! Paskeni aplikuar. Kurdo që ua lëshojnë, atëherë udhëtoni”, tha ai.

Kthimi në hotel qe vështirësuar, ngase ora policore veçse kishte nisur.

Të nesërmen, Kievi u përball me bombardime të shpeshta. Në njërën prej tyre, mbeti e vdekur gazetarja Oksana Baulina. Ajo ishte ruse, por nga Rusia kishte ikur shkaku që ishte një kundërshtare e pushtetit të Putinit. Po punonte për një media ndërkombëtare. Ajo i dinte dhe po i paralajmëronte situatat e rrezikshme të shtetit të saj, i cili e vrau.