Dy këshilltarë të komunitetit boshnjak kanë bashkuar forcat edhe me një këshilltar nga radhët e komunitetit turk në Kuvendin e Komunës së Prizrenit për të propozuar politika më efektive për komunitetin. Anëtarët e grupit joformal “Për Prizrenin” kërkojnë që fryma shumë etnike e qytetit të vjetër të reflektohet edhe në vendimmarrjen e organit më të lartë komunal.
Tre anëtarë nga tri subjekte politike të komunitetit boshnjak dhe të komunitetit turk janë bërë bashkë për ta fuqizuar zërin e tyre në Kuvendin e Komunës së Prizrenit.
Prej gjashtë muajsh, Ertan Simitçi nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore, Merxhan Osmani nga Partia e Re Demokratike dhe Admir Alili nga Unioni Social Demokratik kanë formuar grupin joformal “Për Prizrenin”.
Ertan Simitçi ka shpjeguar se ideja për krijimin e një formacioni të tillë joformal ka lindur nga nevoja për fuqizimin brenda organit më të lartë vendimmarrës lokal.
“Ne kur kemi biseduar herën e parë qëllimi ynë ka qenë që si komunitete joshumicë të kemi një zë dhe një fuqi brenda Kuvendit, për arsye se duke filluar prej votimit të rendit të ditës apo marrjes së rekomandimeve për diskutime në Kuvend duhet një mbështetje”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky grup nuk është pjesë e koalicionit qeverisës, por krahas përfaqësimit më të mirë të interesave të komuniteteve joshumicë angazhohet edhe për vendimmarrje në interes të publikut.
“Normal që është Kuvendi i ri, legjislativi i ri, ne si grup nuk jemi pjesë e koalicionit, por në diskutimet me kryetarin apo ekzekutivin, drejtorët, çdo herë kemi thënë që grupi ‘Për Prizrenin’ do të mbështetë të gjitha rekomandimet apo vendimet të cilat janë për interesin publik”, ka deklaruar Simitçi.
Merxhan Osmani nga NDS-i boshnjak pohon se duke i shërbyer interesit publik, përmirësohet performanca e Komunës së Prizrenit.
“Qëllimi i grupit tonë është që Komuna e Prizrenit të jetë komuna më e mirë në Kosovë. Të jemi më të mirët edhe në transparencë, edhe në respektimin e komuniteteve joshumicë, edhe në shpërndarjen e financave, do me thënë të jemi më të mirët”, ka thënë Osmani.
Ai ka shtuar se grupi është i hapur edhe për përfshirjen e kolegëve nga shumica shqiptare.
E shefi i këtij grupi joformal, Admir Alili, nga SDU-ja boshnjake ka thënë se ka shumë kërkesa nga qytetarët, që po ballafaqohen me telashe të ndryshme, shkaku i situatës socio-ekonomike.
“Po mundohemi aq sa mundemi. Përndryshe kemi shumë kërkesa prej qytetarëve. Aktualisht jemi në një situatë të krizës ekonomike dhe është shumë vështirë. Rishtazi kemi miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm dhe disi buxheti është i limituar, meqë përqendrimi është te investimet kapitale, derisa ne si grup angazhohemi që të jemi më afër qytetarëve, të punojmë më shumë për rastet sociale”, është shprehur Alili.
Kuvendi i Prizrenit përbëhet nga 41 anëtarë. Në përbërjen aktuale, 6 prej tyre përfaqësojnë partitë e komuniteteve joshumicë.