Që prej zbarkimit në Kosovë më 12 qershor 1999, si rrallëherë KFOR-i u sfidua pas 24 vjetësh prezencë. Në funksion të shmangies së përshkallëzimit të situatës dhe ruajtjes së objekteve komunale, të cilat për herë të parë u fituan nga kryetarët shqiptarë në veri, pjesëtarët e forcës që ia ruan kufijtë Kosovës u përleshen me protestuesit serbë, në mesin e të cilëve pati edhe grupe kriminale. Megjithëse Kosova ka krijuar strukturat e veta të sigurisë, prania e KFOR-it po shihet ende e domosdoshme
Saktësisht 24 vjet më parë mes lulesh e turma njerëzish hynë 50 mijë ushtarë të NATO-s, duke ua hapur kështu rrugën e kthimit në shtëpitë e tyre rreth një milion shqiptarëve të Kosovës. Ndryshe nga trupat serbe, që u larguan me gjuhë e këngë të urrejtjes e me peshën e krimeve mbi shpatulla, ushtarët e NATO-s u pritën si heronj.
Forca paqeruajtëse, nën autorizimin e Kombeve të Bashkuara, ishte prej misioneve më të mëdha ushtarake në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Perëndimi si rrallëherë në historinë e shqiptarëve u bë bashkë kundër pushtuesve të Kosovës.
Por KFOR-i që vazhdon t’i ruajë kufijtë e Kosovës, si rrallëherë u sfidua pas më shumë se dy dekadash, në veriun që historikisht ka qenë vatër e tensioneve.
30 pjesëtarë të kësaj force u lënduan pas protestës së dhunshme të serbëve në Zveçan muajin e kaluar, në kundërshtim të vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektin komunal. Tensione pati edhe në Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok, ku KFOR-i mori situatën në duar, për të garantuar sigurinë e objekteve.
Pas uljes së tensioneve, pjesëtarët e KFOR-it dolën përtej telave gjemborë, duke u “sfiduar” me protestuesit përmes lojërave, ashtu siç bënin në ditët e para të pasluftës në Kosovë.
E sulmi që iu bë, zyrtarët e KFOR-it kanë thënë se u erdhi nga grupet kriminale serbe në veri.
“Ishte e qartë se atje njerëzit po përpiqeshin të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte gjithashtu e qartë se pas tyre fshiheshin disa grupe kriminale që përpiqeshin të sulmonin trupat e KFOR-it”, ka deklaruar të premten e shkuar Andrea Gallien - zëdhënës i Shtabit të KFOR-it.
Ndonëse është reagues i tretë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, KFOR do të vazhdojë të jetë i pranishëm tek objektet komunale në veri.
“Pra, derisa të ketë një situatë tensioni, e cila mund të përshkallëzohet në çdo moment në një nivel më të lartë të dhunës, KFOR-i do të jetë i pranishëm”, ka theksuar zyrtari i NATO-s.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se prezenca e kësaj force është e domosdoshme edhe për një kohë përreth objekteve komunale.
“Ky është një hap i mundshëm në drejtimin e duhur. Hapi tjetër është tërheqja e policisë jo nga gjithë territori i veriut, por vetëm nga ndërtesat kryesore të komunave dhe të shikohet mundësia që aty të jetë KFOR-i”, ka thënë Serwer. Sipas tij, përkundër prezencës së KFOR-it, shumica e problemeve në veri nuk vijnë për shkak të serbëve të Kosovës që jetojnë atje, por nga serbët që dërgohen nga Beogradi në veri, për të shkaktuar telashe.
Shteti i Kosovës në veri mund t’i zbarkojë njësitë speciale, por edhe jo edhe ushtrinë.
Kjo pasi vazhdon të vlejë një marrëveshje e ish-kryeministrit Hashim Thaçi me sekretarin e NATO-s, sipas së cilës FSK-ja mund të shkojë në veri vetëm me lejen e posaçme të komandantit të KFOR-it.
Në mungesë të ushtrisë vendore, liderët e shtetit në disa raste kanë kërkuar rritje të prezencës së NATO-s. Në një intervistë për mediumin gjerman “Die Welt”, në janar të këtij viti, kryeministri Albin Kurti është shprehur se shtimi i ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në Kosovë do të ndihmonin në paqe në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonin sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kurti.
“Simboli i ndarjes”
Ndryshe prej viteve paraprake, muajin e kaluar KFOR-i nuk u sfidua mbi Urën e Ibrit. Tani epiqendër e tensioneve ishte Zveçani, komuna fqinje e Mitrovicës së Veriut.
Megjithëkëtë, Ura mbi lumin Ibër, apo siç e kishin pagëzuar ushtarët e KFOR-it francez, “Austerlitz”, si sinonim i betejës së përgjakshme të para 214 vjetëve kundër austro-rusëve, vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Dhuna nuk ishte ndalur as pas pozicionimit të trupave të NATO-s, ku jo rrallë ka qenë arenë e përplasjeve edhe të përgjakshme.
Edhe pse spiralja disavjeçare e dhunës përreth urës është ndalur, beteja politike për hapjen e saj nuk ka përfunduar.
Pamja e urës ka ndryshuar ndër vite. Nga gurët e zhavorri, pastaj pishat e të ashtuquajturit “Park i paqes” dhe muri i lartë dy metra, tashmë hapësira përreth urës është gati të transformohet në shëtitore. Por nuk është larguar edhe pengesa e fundit, duke e pamundësuar funksionalizimin e plotë dhe integrimin e dy qyteteve. Edhe pas 24 vjetësh, në pikën që administrativisht ndan Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, vazhdon të bëjë rojë KFOR-i italian.
Fushata që i parapriu hyrjes së trupave të NATO-s
Kosova nuk ka ditë zyrtare të çlirimit, por 12 Qershorin e njeh ligjërisht si Dita e paqes. Ditët e çlirimit të qyteteve janë të ndryshme, varësisht prej datës së marshimit të trupave të KFOR-it e të ushtarëve të UÇK-së.
Para se të hynin trupat e NATO-s, asgjë nuk kishte mbetur pa u provuar për të ndalur Milosheviqin pos ndërhyrjes ushtarake, e cila megjithatë ndodhi më 24 mars 1999.
Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, në fjalimin televiziv natën e 24 marsit kishte shpjeguar qëllimet e fushatës se NATO-s, duke dëshmuar seriozitetin e reagimit kundër agresionit serb në Kosovë. Qëllimi ishte të dëmtoheshin seriozisht kapacitetet ushtarake të ish-Jugosllavisë për të shkaktuar luftë në të ardhmen.
Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat ushtarake dhe paramilitare të ish-RFJ-së e nisën një fushatë të egër kundër popullatës civile. Atëkohë do të kryheshin masakrat më makabre. Sipas shënimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit, rreth 10 mijë shqiptarë ishin vrarë dhe hedhur në varreza masive.
Në këtë luftë numri i viktimave ushtarake ishte fare i vogël. NATO-ja viktima nuk pati fare, e që është rasti i parë i shënuar në historinë e luftërave. Sipas shifrave të ish -RFJ-së, në luftë kanë vdekur të paktën 600 ushtarë të ish-federatës, nga të cilët 300 janë vrarë në luftë me UÇK-në.
Pas 78 ditë bombardimesh, më 1 qershor 1999, Beogradi kishte njoftuar Qeverinë gjermane se do t’i pranonte parimet e G-8-shes, me ç’rast Parlamenti i Serbisë formalisht e miratoi planin paqësor. Kësisoj, NATO-ja i pezulloi sulmet e veta ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit se forcat e ish-RFJ-së kishin filluar tërheqjen sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244, e cila e përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së, si dhe për vendosjen e një pranie ndërkombëtare e të sigurisë. Për dallim nga plani i Rambujesë, trupat e NATO-s nuk do të kishin mundësi të hynin në territorin e ish-Jugosllavisë, por vetëm në Kosovë. Kushtet e vendosjes së një pranie ushtarake ndërkombëtare, si dhe qëllimet e saj u përcaktuan në Marrëveshjen Tekniko - Ushtarake ndërmjet Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Kosovë (KFOR), dhe të qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999. Më 10 qershor, menjëherë pas miratimit të Rezolutës 1244, Këshilli i Aleancës së Atlantikut e autorizoi hyrjen në Kosovë të trupave të KFOR- it, në aksionin që u kodua si “Operacioni mbrojtësi i përbashkët”. Data e hyrjes së trupave u caktua për 12 qershor.
Në anën tjetër, Serbia vazhdon ta ushqejë narracionin se NATO-ja ushtroi agresion të paligjshëm mbi një shtet sovran. E, në përvjetorin e fundit të fushatës së bombardimeve, një ambasador amerikan shprehu keqardhje për viktimat e bombardimeve të NATO-s. Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, deklaroi se populli serb nuk do ta harrojë kohën e bombardimeve, derisa shtoi se ka mësuar që ndonjëherë ndodh që kur diplomacia dështon, rezultatet mund të jenë tragjike.
“Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj partneritetit tonë me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ynë ndaj diplomacisë”, ka thënë Hill.
KFOR-i, prania më e besueshme ndërkombëtare
Pavarësisht narracionit që ushqen Beogradi dhe viktimizimit kur vjen puna te bombardimet e 1999-s, NATO-ja edhe pas 24 vjetësh mbetet prania më e besueshme ndërkombëtare në Kosovë, e cila nuk kontestohet as nga shqiptarët e as nga serbët.
Se ka ndryshuar qëndrimi i serbëve ndaj NATO-s dëshmon fakti se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, të cilët ishin ndër njerëzit kryesorë të Milosheviqit në kohën e bombardimeve dhe në krye të luftës propagandistike kundër kësaj aleance, tani në disa raste kanë kërkuar garanci nga NATO-ja, madje edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën në dialogun e Brukselit. Edhe pas tensioneve të fundit, ata kërkuan rritjen e forcave të KFOR-it në veri e largim të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Aktualisht, afro 4 mijë trupa nga Forca e Kosovës (KFOR) e udhëhequr nga NATO-ja me 28 shtete, vazhdojnë të angazhohen për sigurinë e të gjithë qytetarëve. Prin Italia me 638 trupa, e pasuar nga ShBA-ja me 635 trupa.
Përveç bazës qendrore në kryeqytet, KFOR është i organizuar edhe në dy komanda rajonale, ku secila prej tyre ka nga dy batalione. Njëri është batalion manovrash i lëvizshëm, fleksibil dhe i gatshëm për reagim të shpejtë në zonat e mundshme problematike. Batalioni i dytë është përgjegjës për monitorimin dhe ndërlidhjen me aktorët civilë lokalë. Njëra komandë është e vendosur në kampin “Boondstil” afër Ferizajt, kurse tjetra në kampin “Villaggio Italia”, në Pejë.
Një nga detyrat më të rëndësishme të KFOR-it është operimi me të ashtuquajturat Ekipe Monitoruese Ndërlidhës (LMT). Ushtarët që shërbejnë në këtë njësit konsiderohen “sytë dhe veshët e komandantit të KFOR-it”. Mision i tyre është mbledhja e informatave dhe realizimi i detyrave në terren.
Pjesë e rëndësishme e detyrave të KFOR-it është identifikimi dhe pastrimi i terreneve nga objektet shpërthyese, të cilat mund të paraqesin rrezik për ushtarët dhe civilët.
Krahasuar me periudhën para 20 vjetësh janë reduktuar dukshëm zonat që kanë rrezik nga minat. Derisa në vitin 1999 kanë ekzistuar mbi 3 mijë e 500 zona të rrezikshme, sot janë vetëm 75 fusha të minuara, kryesisht në male dhe pyje.
Menaxhimin e situatave që lidhen me eksplozivët KFOR-i e realizon në bashkëpunim edhe me institucionet vendore.
Pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, tanimë ka ndryshuar edhe konfiguracioni strategjik në rajon. Ndërkaq Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut janë anëtare të saj. Edhe Kosova ka shprehur synimin për anëtarësimin në këtë aleancë, duke krijuar grup punues, i cili do ta përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për aplikim.
Lapidarët në nderim të ushtarëve të rënë
Veç mirënjohjes për intervenimin që mundësoi rikthimin e shqiptarëve të dëbuar, Kosova i ka nderuar ushtarët e rënë edhe me ngritjen e monumenteve. Më 2010 në Prizren u vendos monumenti si shenjë mirënjohjeje e qytetarëve të Kosovës për kontributin e NATO-s në mbrojtjen e vlerave humane.
Më 2014, po në Prizren, në Ditën e Përkujtimit të ushtarëve amerikanë që kanë rënë gjatë shërbimit në forcat e armatosura, ishte përuruar obelisku kushtuar dy pilotëve amerikanë, David Gibbs dhe Kevin Reichert, të cilët kishin humbur jetën në maj të vitit 1999, pas rrëzimit të helikopterit Apache gjatë një fluturimi rutinor në afërsi të kufirit Shqipëri-Kosovë. Edhe në Prishtinë, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 ngriti lapidarin në nderim të 158 ushtarëve të NATO-s që humbën jetën derisa po shërbenin në Kosovë.
Në obeliskun me stemë të NATO-s dhe KFOR-it, në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe, shkruan “Në kujtim të burrave dhe grave që kanë shërbyer me partnerët e tyre në KFOR dhe kanë dhënë jetën si rezultat i shërbimit të tyre. Ne nderojmë dhe përkujtojmë sakrificën e tyre”.