Artisti Sokol Maloku nuk mbante në dorë si zakonisht brushën për piktura të martën pasdite. Ai para objektit të Komunës së Ferizajt mori në dorë grepin e peshkimit dhe zuri një peshk në pusin e krijuar në fontanën e këtij sheshi.
Kjo performancë e tij erdhi si shenjë pakënaqësie ndaj Komunës së Ferizajt që i ka mbetur i papërfunduar sheshi para objektit të saj, transmeton Koha.net.
Maloku, në një deklaratë për portalin Koha.net, ka thënë se vrazhdësia e pamjes së sheshit e ka shtyrë që të realizonte këtë performancë të martën.
“Ra një fëmijë sot aty dhe u trishtova. Mezi e nxorëm. Kjo është demagogji e atyre që qeverisin. Çfarë mund të bëjnë më shumë komunarët, kur as pragun e shtëpisë së tyre nuk kanë arritur ta rregullojnë”, ka thënë Maloku.
Punimet për sheshin e Ferizajt kanë mbetur pa u përfunduar që nga koha e qeverisje së LDK-së. Aty ishte paraparë ndërtimi i një fontane, teksa aktualisht aty është bërë një pus.
Pushteti aktual i drejtuar nga PDK-ja nuk ka bërë asnjë lëvizje në drejtim të përfundimit të projektit. Megjithëse ka paralajmëruar ndryshime në përmbajtjen e projektit aktual për sheshin qendror, pushteti aktual është zhytur në borxhe dhe nuk dihet kur mund të përmbyllet projekti.

