Shmangia e mospajtimeve politike dhe pengesave ndaj njëra-tjetrës është kushti që duhet përmbushur shtetet e Ballkanit Perëndimor për të përfituar ndihmën e BE-së, e cila parasheh ndarjen e 6 miliardë eurove për rajonin në tre vjetët e ardhshëm. Njohës të integrimeve thonë se Kosova do të kushtëzohet me progres në dialog me Serbinë në mënyrë që të përfitojë nga Plani i Rritjes së BE-së
Plani i Brukselit parasheh që rreth 6 miliardë euro të dërgohen në shtetet e Ballkanit Perëndimor në tre vjetët e ardhshëm, për ta dyfishuar ekonominë e rajonit gjatë dekadës së ardhshme. Por ndihma që u prezantua në margjinat e Samitit të mbajtur në Tiranë do të varet nga reformat e shteteve të rajonit për t’i përshtatur ekonomitë e tyre me rregullat e BE-së.
Në funksion të tregut të përbashkët rajonal, komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha se modeli është huazuar nga Procesi i Berlinit dhe nisma “Ballkani i Hapur”.
“Nëse doni të trajtoheni si një anëtar i BE-së, atëherë ju duhet t'i trajtoni partnerët tuaj të Ballkanit Perëndimor gjithashtu si një anëtar të BE-së”, tha Varhelyi pas takimit në Tiranë me liderët e rajonit.
Por trajtimin që po e kërkon BE-ja aktualisht Serbia nuk e ka në raport me Kosovën, së cilës nuk ia njeh shtetësinë.
Njohësi i integrimeve, Demush Shasha, thotë se qasja në këto fonde do të kushtëzohet nga disa zhvillime politike në rajon. Në rastin e Kosovës, sipas tij, gjithçka do të varet nga përparimi në dialog me Serbinë.
“Në rastin e Kosovës dhe Serbisë është dialogu, pra Kosova do të kushtëzohet me progres në dialog në mënyrë që të përfitojë nga fondet që vihen në dispozicion me planin e rritjes së Bashkimit Evropian. Pra, në këtë drejtim nuk duhet pritur që Kosova do të mund të fitojë nga plani i rritjes pa progres kuptimplotë në dialog”, ka theksuar Shasha.
Me gjithë dakordimin rreth Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit për zbatimin e saj në Ohër më 18 mars të vitit të kaluar, palët ende nuk kanë nisur së zbatuari asnjërën prej pikave. Ato mbetën nën hijen e tensioneve në veri të vendit, me të cilat po vazhdon të merret Brukseli.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mori pjesë në Samitin e Tiranës krahas liderëve tjerë nga rajoni, me arsyen se pati vizitë të aranzhuar më herët në Britaninë e Madhe.
“Megjithëkëtë, në konferencën e sotme në Tiranë me titull ‘Plani i rritjes dhe konvergjenca’, isha pjesëmarrës virtualisht përmes një videomesazhi ku theksova mbështetjen dhe solidaritetin e Republikës së Kosovës me Ukrainën dhe popullin e saj; bashkëpunimin dhe integrimin rajonal përmes Procesit të Berlinit bazuar në rregullat dhe vlerat e BE-së; përkrahjen dhe përkushtimin për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian që mundëson lidhjen graduale me Tregun Unik të BE-së; përkushtimin në reforma dhe pritjet për samitin e radhës të Procesit të Berlinit dhe Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR)”, ka shkruar Kurti në Facebook të enjten në mbrëmje.
Mosprania e Kurtit në Tiranë, sipas opozitës, është vetëpërjashtim i tij në ngjarje të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
“Ne kemi ardhur me një ditë që kryeministri i Kosovës vetëpërjashtohet nga pjesëmarrja në këto forume. Sot Serbia nuk ka nevojë të angazhohet që Kosova të mos jetë, të mos trajtohet barabar me vendet e rajonit, në këta mekanizma ndërkombëtare, në forume rajonale që janë tepër të rëndësishëm edhe për shkaqe sigurie, edhe për shkaqe të agjendës së integrimit evropian, sepse është vetë kryeministri i Kosovës ai i cili përjashton Kosovën nga këta mekanizma. Ky është një dëm shumë i madh për agjendën tonë ndërkombëtare”, ka deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Në kuadër të masave që parashihen me Planin e Rritjes është krijimi i një zonë të vetme të pagesave në euro. Po ashtu parashihen korsitë e gjelbra për mjete transportuese të mallrave, ku kontrollet nuk duhet të zgjasin më shumë se 15 minuta.
Demush Shasha thotë se plani përfaqëson shprehjen e vullnetit të ri politik nga ana e BE-së për zgjerim edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Pra, plani i shërben këtij qëllimi, që vendet e Ballkanit të mbështeten në reformat që duhet t’i ndërmarrin dhe të jenë sa më parë të përgatitur për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. E dyta, plani përfaqëson një instrument masiv financiar i cili trefishon fondet që vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë në dispozicion për të bërë reforma që kërkohen në rrugën e tyre integruese. Pra është një fond masiv që kërkon përgatitje të jashtëzakonshme nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Shasha. “Në këtë frymë edhe u mbajt samiti në Tiranë që kishte për qëllim të diskutohen të gjitha këto përgatitje dhe të shkëmbehen pikëpamjet për dinamikën e reformave që kërkohen nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor në njërën anë dhe pritjet që kanë ato nga BE-ja, nga ana tjetër”.
Veç planit të rritjes për rajonin, Tirana këtë javë ishte edhe nikoqire e Samitit “Ukrainë-Evropë Juglindore” ku u diskutua për sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Evropa. Për herë të parë në kryeqytetin shqiptar ishte dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, prej ku i kërkoi Perëndimit që të mos vonohet me dërgimin e armëve. Ukraina është në luftë me Rusinë prej vitit 2022, e cila nisi pushtimin në shkallë të gjerë.