Ish-komandanti i Brigadës 123, Kurtesh Fondaj, ka dëshmuar në rastin ku ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së po përballen me akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ai ka deklaruar se emërimin e tij në krye të Brigadës e ka bërë Hashim Thaçi
Kurtesh Fondaj, dëshmitari i 73-të në rastin më të madh të Speciales, ka deklaruar se i akuzuari Hashim Thaçi e ka emëruar si komandant të Brigadës në kuadër të Zonës Operative të Pashtrikut.
Ish-komandanti i Brigadës 123 tha se emërimi i tij u bë meqë Thaçi kishte besim tek ai, shkaku i nevojës për konsolidim të organizimit ushtarak, si dhe shkaku i largimit të komandantit të atëhershëm Blerim Kuçi në Shqipëri.
Emërimin e tij në emër të Shtabit të Përgjithshëm tha se ia komunikoi vetë Hashim Thaçi në vitin 1998.
“Këtë ditë më 6 tetor 1998, ma ka komunikuar emërimin se e pata sqaruar se emërimet e niveleve të komandantëve të brigadave janë kryer kryesisht nga Shtabi i Përgjithshëm dhe atë nga Bislim Zyrapi si shef shtabi. Kështu që Hashim Thaçi në këtë ditë ma ka komunikuar emërimin dhe më ka thënë ke të drejtën të formosh komandën e brigadës pa pasur nevojë që për ekipin komandues të kërkosh verifikim”, tha Fondaj.
Për më tepër, ai tha se në Kosovë nuk ekzistonte formacioni që njihet si FARK-u, strukturë nën ombrellën e Qeverisë në ekzil të udhëhequr prej LDK-së, meqë shumica e ushtarëve të saj ishin nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe e kishin të vendosur emblemën e UÇK-së.
Mbrojtësi i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq e pyeti atë lidhur me largimin e Blerim Kuçit nga Kosova në kohë lufte.
“Krahas këtyre dëmeve që pësuat a është e saktë që Blerim Kuçi ishte larguar në Shqipëri dhe ju nuk kishit komandant të Brigadës 123, gjatë gjysmës së dytë të shtatorit dhe fillimit të tetorit, a është e saktë”, pyeti Mishetiq.
E Fondaj u përgjigj se Blerim Kuçi shkoi në Shqipëri për të kërkuar para, meqë ishin thuajse të shpartalluar pas një ofensive të forcave serbe.
“Është e saktë se në fillim të shtatorit, domethënë data diku kah 10 shtatori, Blerim Kuçi ka shkuar në Shqipëri. Unë e kam përcjellë dhe i kam thënë: Rruga e mbarë! Qëllimi ka qenë që thjesht ta forcojë ushtrinë e jo ta dobësojë, se e përmenda, ne kemi pasur probleme pastaj të ekzistojmë në aspektin e logjistikës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka shfrytëzuar resurset e popullatës. Popullata e ka mbajtur ushtrinë, mirëpo në ato rrethana që i përmenda kur çdo gjë ishte shkatërruar, popullata tashmë s’kishte mundësi të na përkrahte neve dhe qëllimi i shkuarjes së Blerim Kuçit në Shqipëri ka qenë për të kërkuar mbështetje financiare nga Qeveria e Bukoshit”, tha dëshmitari.
Ka thënë se për një periudhë kohore gjatë luftës udhëhoqi edhe një shkollë ushtarake të UÇK-së.
Dëshmia e Fondajt pritet të vazhdojë edhe të martën.
Në këtë rast ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën kryesore e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.