Arbëri

Foltorja e Kuvendit shfrytëzohet për baltosje të mediave

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe partitë opozitare në Kuvend kanë kërkuar nga pushteti që të mos e votojë dhe ta tërheqë nga rendi i ditës Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. Në kundërpërgjigje, deputeti i LVV-së, Dimal Basha, ka përdorur gjuhë ofenduese ndaj mediave. Projektligji nuk është tërhequr nga rendi i ditës, por as nuk është trajtuar në seancë, meqë ajo është ndërprerë për mungesë kuorumi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka përdorur gjuhë ofenduese në drejtim të mediave, në kundërpërgjigje të thirrjeve të Asociacionit të Gazetarëve për të mos e votuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave. Në fjalimin e tij, gjatë seancës të së enjtes të Kuvendit, deputeti Basha ka thënë se Qeveria ua ka ndalur tagjinë mediave:- ushqim që përdoret për kafshët. 

“Kjo qeveri është e vetmja qeveri që ua ka ndalë komplet tagjinë dh asnjë cent nuk iu shkon më mediave. Kështu që, me dashtë me i kap kish vazhdu avazin e vjetër. Por ndryshimi tregon se ne nuk jemi të asaj rruge dhe nuk kemi synim me kap”, ka thënë ai, teksa ka marrë shembull Telekomin si “sponsorizues të mëhershëm të mediave”. 

Ai e ka kritikuar edhe juristen e medias, Flutura Kusari, për thirrjen e saj që të mos votohet projektligji, duke e kontestuar edhe integritetin e saj profesional. 

“Ka rëndësi nganjëherë edhe kush fol. Për shembull, e kemi Flutura Kusarin që del dhe do me ta diktu komplet Kuvendin e Kosovës qysh me bo ti një ligj për KPM-në, kur e njëjta në emër të lirisë së mediave del dhe i mbron Devollët në rrugë”, ka shtuar ai.

Kësaj deklarate të Bashës i ka reaguar AGK-ja, duke e quajtur sulm të papranueshëm ndaj lirisë së mediave dhe ndaj aktivistes Kusari.

“Ky është një sulm i papranueshëm ndaj lirisë së medieve dhe pluralizimit medial në Kosovë. Sulmi ndaj zonjës Kusari është sulm i papranueshëm, i rrezikshëm dhe me bazë gjinore. Akuzat e zotit Basha nga foltorja e Kuvendit e vënë në rrezik sigurinë e zonjës Kusari, dhe kanë për qëllim heshtjen e zërave kritikues të shoqërisë civile”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Paraprakisht, para se të niste seanca e Kuvendit prej ku u deklarua Basha, AGK-ja ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka kërkuar që të mos miratohet në lexim të dytë Projektligji për KPM-në, i cili ishte në rend dite. 

Kryetari i Asociacionit, Xhemajl Rexha, ka deklaruar se ky projektligj është përpjekje e Qeverisë për t’i goditur dhe disiplinuar mediat.

“Ajo çfarë do të ndodhë sot është përpjekja më serioze e Qeverisë së Kosovës e partisë politike në pushtet Vetëvendosje që të godasë mediat, të disiplinojë mediat, sidomos mediat online për shkak të punës së tyre, për shkak të përmbajtjes mediatike që kanë. Dhe, pas tentimit vitin e kaluar për ta mbyllur një televizion privat, kjo është përpjekja më serioze e kësaj qeverie për të goditur mediat, për ta ngushtuar pluralitetin medial në Kosovë, por që do të ketë pasoja afatgjate”, ka thënë ai.

E juristja e medias, Flutura Kusari, në këtë konferencë ka theksuar se Projektligji është iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, jo për ta rregulluar sektorin medial, por për ta kapur atë.

“Me këtë projektligj, nëse sot aprovohet, Vetëvendosje do ta mbushë Komisionin e Pavarur për Media me militantë të flaktë të tyre, do të sigurohet që ata do të kenë mandat deri në një dekadë nëse i binden partisë e nëse nuk i binden do të kenë mundësi ligjore që lehtësisht ta shkarkojnë komisionin”, është shprehur Kusari.

Përveç AGK-së, edhe partitë parlamentare opozitare kanë bërë thirrje në seancë që Projektligji të tërhiqet. Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, ka thënë se përmbajtja aktuale e cenon lirinë e mediave.

“GP i PDK-së kërkon që Ligji për KPM-në të tërhiqet. Cenimi i lirisë së mediave në vendin tonë është një prej goditjeve më të mëdha që munden me iu bë agjendës tonë evropiane, por edhe zhvillimit tonë të brendshëm si shoqëri”, ka deklaruar Tahiri. 

E deputeti i Lidhjes Demokratike, Driton Selmanaj, ka theksuar se Projektligji është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

“Nuk është në përputhje me standardet e BE-së dhe i njëjti projektligj të kthehet në Komision. Jam i detyruar ta lexoj vetëm një paragraf se çka ka thënë BE-ja. Paragrafi thotë kështu: Ju rekomandojmë fuqishëm ta konsultoni, rikonsultoni Komisionin e Venecias nëse komentet e Komisionit të Venecias janë marrë parasysh nga Komisioni, sepse ne kemi dilemat tona që kjo nuk është bërë”, ka thënë ai.

Por kryetari i Komisionit parlamentar për media, Valon Ramadani, është shprehur se të gjitha komentet përmbajtjesore janë marrë parasysh. 

“Janë marrë parasysh edhe komentet e BE-së, edhe të OSBE-së, edhe të Raportit të Këshillit të Evropës. Nuk është e vërtetë që me këtë projektligj cenohet pavarësia e mediave. Absolutisht nuk ka cenim, ka përafrim të direktivës së Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Mirëpo atij i ka reaguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, duke thënë se nuk qëndron deklarimi se janë adresuar komentet e BE-së.

“Kemi një kundërshtim të fuqishëm nga Bashkimi Evropian, ndërsa në anën tjetër thotë që Ligji nuk cenon të drejtat e mediave, dhe këtu dikush  nuk e thotë të drejtën”, ka thënë Lekaj.

Kërkesa e opozitës që Projektligji të tërhiqet nuk ka kaluar. Megjithatë, atij nuk i erdhi radha që të trajtohet në lexim të dytë në seancë, meqë ajo është ndërprerë për mungesë kuorumi.

Projektligji për KPM-në është kritikuar nga shoqëria civile, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. Disa aspekte të Projektligjit janë vlerësuar se nuk janë në përputhje me standardet më të mira evropiane. Çështjet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Evropës janë: ndryshimi i Projektligjit për KPM-në pa koncept dokument, mënyra e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërje, emërimi, mandati dhe shkarkimi i anëtarëve të KPM-së, largimi i kufizimit ligjor që në të kaluarën ua pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove, dhe mungesa e transparencës gjatë nismës legjislative.