Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti është takuar me zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite, njofton kumtesa, transmeton Koha.net.
Në vazhdim të vizitës në Bali, delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në përbërje të Guvernatorit, Fehmi Mehmeti, Kryetarit të Bordit të BQK-së, Flamur Mrasori, Zëvendësguvernatorit, Sokol Havolli dhe Shefit të Kabinetit të Guvernatorit, Nexhat Miftari ka zhvilluar takim me drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropë, Paul Thomsen, i cili u informua lidhur me zhvillimet në sektorin financiar në Kosovë.
Guvernatori Mehmeti e falënderoi për përkrahjen dhe aprovimin e kërkesës së BQK-së për Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Review).
Gjatë kësaj vizite është nënshkruar edhe Marrëveshja e Mirëkuptimit mes Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Guvernatori Mehmeti dhe Bankës Qendrore të Turqisë, përfaqësuar nga Guvernatori Çetinkaya, që ka të bëjë me shkëmbimin e informacioneve mes dy institucioneve.
Gjithashtu, në vazhdën e këtyre takimeve, Guvernatori Mehmeti është takuar edhe me Drejtoreshën Ekzekutive në largim të Konstituencës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Michaela Erbenova, të cilën e falënderoi për përkrahjen e saj të vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe njëkohësisht i uroi fat dhe suksese në angazhimet e saj në të ardhmen.
Në takimet e zhvilluara, pjesëmarrës në takime ishin edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza.