Arbëri

Fluks i jashtëzakonshëm i pejanëve për vaksinim

“Interesimi është jashtëzakonisht i madh, sidomos pas rritjes së rasteve është krijuar një panik te qytetarët, të cilët në qoftë se e bëjmë një krahasim me atë të para dyjavëve, kur ne bënim kërkesa të vinin dhe të vaksinoheshin dhe numri nuk e kalonte shifrën e 500 qytetarëve në ditë, sot është e kundërta. E kemi një invazion ku të gjithë duan të vaksinohen për një ditë, që është e pamundshme”, tha drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, sipas të cilit tash janë duke u vaksinuar deri në 1 mijë e 200 qytetarë në ditë, aq sa është kapaciteti maksimal me numrin aktual të ekipeve të vaksinimit në këtë qendër

Në qendrën e vaksinimit në Pejë është shtuar fluksi i qytetarëve për imunizim kundër virusit Covid-19. Para kësaj qendre të vaksinimit masiv të popullatës në Pejë, e sistemuar në hapësirën e Galerisë së Arteve, të martën ishte e gjatë kolona e qytetarëve që prisnin një orë e më tepër në radhë derisa vinin në rend të vaksinoheshin. Kjo pritje e gjatë mllefoste sidomos qytetarët që kishin bërë termin më herët, por të cilët nuk mund vaksinoheshin në orën e caktuar.

Megjithëse e kishte caktuar terminin për vaksinim, në radhë priste edhe qytetari Selim Gashi.

“Në 9:30 e kam pasë terminin. Unë e kam lëshu punën e kam ardhë të vaksinohem. Tash duhet me pritë edhe një orë a më shumë deri të më vijë radha. Kam menduar që si të vij këtu hyj e vaksinohem, por jo, po duhet me pritë në radhë”, shprehet Gashi i mllefosur.

Ankesa të ngjashme dëgjoheshin edhe nga qytetarë të tjerë që gjithashtu e kishin caktuar terminin, por që u duhej të prisnin gjatë në radhë. E kjo tollovi para qendrës së vaksinimit, sipas drejtorit të Shëndetësisë, Petrit Loci, po krijohet edhe nga qytetarët që nuk po mund regjistrohen online për termin e po vijnë në qendër të vaksinimit të regjistrohen.

“Ka shumë qytetarë që po presin të regjistrohen online për termin, e nuk po mundën, sepse nuk po punon sistemi e pastaj po vijnë në qendër të vaksinimit të regjistrohen dhe ata po e bëjnë tollovinë e madhe”, thotë Loci.

Për ta eliminuar këtë tollovi para qendrës së vaksinimit, Loci tha se këto ditë regjistrimin për vaksinim do ta zhvendosin në një sportel të veçantë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, derisa qendra e vaksinimit, sipas tij, do të mbetet vetëm për vaksinim.

Radhët e gjata para qendrës së vaksinimit, sipas Locit, i ka shkaktuar edhe rritja enorme e rasteve pozitive me koronavirus në Pejë, që aktualisht aktive janë 666 raste pozitive. “Interesimi është jashtëzakonisht i madh, sidomos pas rritjes së rasteve është krijuar një panik te qytetarët, të cilët në qoftë se e bëjmë një krahasim me atë të para dy javëve, kur ne bënim kërkesa të vinin dhe të vaksinoheshin dhe numri nuk e kalonte shifrën e 500 qytetarëve në ditë, sot është e kundërta. E kemi një invazion ku të gjithë duan të vaksinohen për një ditë, që është e pamundshme”, tha Loci.

Rritja e jashtëzakonshme e numrit të qytetarëve për vaksinim ka sjellë në limit kapacitetin e dhjetë ekipeve të vaksinimit në këtë qendër, pesë ndërrimin e parë dhe pesë të tjera në ndërrimin e dytë. Brenda një dite, nga ora shtatë e mëngjesit e deri në orën tetë e mbrëmjes, sipas Locit, janë duke u vaksinuar deri në 1 mijë e 200 qytetarë në ditë, aq sa është kapaciteti maksimal me numrin aktual të ekipeve të vaksinimit në këtë qendër. Për ta shtuar numrin e të vaksinuarve, Komuna e Pejës ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që vaksinimi të lejohet edhe të shtunave e të dielave, pasi, sipas Locit, institucioni i shëndetit primar ka mjaft staf të trajnuar për vaksinim. Njëkohësisht, siç tha Loci, të hënën Komuna ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që t’u mundësohet edhe hapja e një pike tjetër për vaksinim dhe atë vetëm për punëtorë të arsimit.

“Aktualisht jemi duke pritur aprovimin e Ministrisë që të na sigurohen pajisje të nevojshme për logjistikë dhe të fillojmë këto ditë me vaksinimin e mësimdhënësve në një pikë tjetër, konkretisht në objektin e qendrës kryesore të vaksinimit”, tha Loci. Për kërkesën e Komunës, KOHA i ka drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, e cila në përgjigjën e saj tha se do te punohet me te gjitha kapacitetet, përfshirë edhe ditët e fundjavës. Por jo edhe hapjen e qendrave të tjera të vaksinimit. “Esenca nuk është sa qendra vaksinimi krijohen, por sa ekipe vaksinimi shtohen dhe këto ekipe Ministria është duke i shtuar”, thuhet në përgjigjën e kësaj ministrie për KOHËN. Deri tash në Komunën e Pejës janë vaksinuar mbi 30 mijë qytetarë.