Arbëri

Fluga: Krijimi i bashkësive të reja fetare e dëmton shoqërinë dhe sigurinë kombëtare

Fitim Fluga, përfaqësues i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, thotë se Projektligji për liritë fetare i shkakton më shumë dëm shoqërisë sesa dobi. Sipas tij, populli do të pësojë nëse ky projektligj arrin të miratohet nga institucionet. 

Fluga në emisionin “60 Minuta” në KTV ka thënë se institucionet nuk i kanë marrë parasysh opsionet që BIK-u i ka propozuar për projektligjin. 

“BIK-u në projektligjin për liritë fetare ka ofruar opsionet e veta që i përngjajnë ligjit për fe të Kroacisë dhe Austrisë. Por, mesa kemi të njohur nuk është marrë shumë parasysh opsioni që ka paraqitur BIK-u. Ka disa kundërshtime, në veçanti në krijimin e bashkësive të reja fetare, që do të ishte dëm i madh edhe për sigurinë kombëtare. BIK-u është i shqetësuar në këtë pikë. Nëse i ofrohet një grupi të vogël të krijojë një bashkësi fetare, do të ishte shumë e dëmshme për një shoqëri”, ka thënë ai.

Fluga ka shtuar se është problem që të krijohet një bashkësi fetare me një numër të vogël njerëzish që deklarohen pro asaj bashkësie - siç parashihet me projektligj. Ka theksuar se projektligji e cungon lirinë fetare.

“Problemi më i madh që e shohim, nuk do ndalemi te numri, por se si kanë arritur ata që merren me këtë ligj në këtë pikë. Ata nuk kanë bërë hulumtime të thella dhe nuk ka arritur të shohin mostra që janë realizuar në disa vende ku vërehet siguri më e madhe kombëtare. Liria fetare shprehet edhe përmes lirisë së njeriut. Por, kur është fjala të krijimi i bashkësive fetare nëse ligji ua mundëson kujt t’i teket të krijojë një bashkësi, do të ishte shumë në dëm. Ai do ta cungonte lirinë fetare sepse do të krijonte përçarje të jashtëzakonshme dhe do të pësonte populli ynë”, është shprehur Fluga.

Në projektligj thuhet se në Kosovë “mund të regjistrohen edhe bashkësi të reja fetare”, përmes kërkesës për regjistrim, si dhe me kushtin që kur regjistrohen “i kanë së paku 100 anëtarë” shtetas të Kosovës, të moshës madhore.