Arbëri

Fiton tender mbi 600 mijë euro nga institucioni që kishte nisur hetime ndaj tij

Pronari i kompanisë NBT Ing, që fillimisht ka fituar tenderin për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale, është arrestuar më 2020-n me dyshimin se ka dorëzuar dokument të falsifikuar. Por, për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si autoritet kontraktues, nuk ishte problem që në procesin e ri të tenderimit ta përzgjedhë kompaninë “Olti Traising”, me pronar Ragip Mustafën, ani që ndaj kësaj kompanie ka pasur një hetim parapenal pikërisht për falsifikim të dokumenteve

Sistemit Prokurorial të Kosovës i ka dalë punë e dyfishtë me afaristin Ragip Mustafa - edhe e ka subjekt të hetimit, edhe e ka përzgjedhur njërën nga kompanitë e tij për realizimin e punimeve në renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale.

Dy rastet penale ndaj kompanisë “Beni Dona” i janë dorëzuar Prokurorisë nga hetuesit e Task Forcës Kundër Korrupsion. Njëri nga hetimet, i nisur që disa vjet, është në trajtim nga Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe ka të bëjë me tenderin për furnizimin e FSK-së me ushqim, e ku dyshohet se është fituar duke përdorur certifikata të falsifikuara. Ndërsa për tenderin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit është dorëzuar kallëzim penal para rreth katër muajsh në Prokurorinë Speciale, po për të njëjtat dyshime.

Përderisa Prokuroria e Shtetit nuk ka dhënë përgjigje nëse ka aktvendim për fillimin e hetimeve, Mustafa do të përfitojë 630 mijë euro për renovimin e objektit të Prokurorisë Speciale.

Tenderi, siç edhe e thotë procedura, është dhënë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Por, për këtë institucion nuk përbën problem që kompania e personit kundër të cilit ka dyshime për mashtrim do ta rinovojë Prokurorinë Speciale.

“Kjo kompani e ka fituar tenderin pasi ka plotësuar të gjithë kushtet e parapara në dosjen e tenderit, ndërsa lidhur me hetimet ndaj pronarit të kësaj kompanie ju njoftojmë se si kusht i dosjes së tenderit ka qenë që pronari i kompanisë të mos jetë nën hetime, gjë e cila është dëshmuar me certifikatën që i njëjti e ka dorëzuar te ne”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Image

Tenderin nga Këshilli Prokurorial e ka fituar kompania “Olti Traising” e Ragip Mustafës, pronar edhe i “Beni Dona Plast”, që ka fituar tenderin në FSK dhe në Agjencinë Qendrore të Prokurimit (AQP).

E vërteta është se këtë tender në vitin 2020 fillimisht e ka fituar kompania NBT Ing. Por, me arsyetimin se kompania ka dorëzuar dokument të falsifikuar, është arrestuar drejtori i saj. Arrestimi i tij dhe anulimi i tenderit, që atëherë kishte vlerën e 900 mijë eurove, i kanë hapur rrugë një procesi të ri prokurimi, në të cilën fitues është shpallur kompania e Ragip Mustafës.

Policia e Krimeve Ekonomike, që në atë kohë drejtohej nga Nazim Sahiti, kishte bërë njoftim publik për arrestimin e drejtorit të NBT Ing.

“Me datë 4 dhjetor 2020 Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) - Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, duke u bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore Prishtinë ka zhvilluar hetime lidhur me dyshimet se drejtori i një kompanie nga Suhareka ka falsifikuar dokumentin ‘Letër përkrahje’ të datës 12.12.2019 të bankës me të cilin gjoja se banka i siguron përkrahje kompanisë në fjalë në vlerë prej 200 mijë euro. Dyshohet se falsifikimin e dokumentit i dyshuari e ka bërë me qëllim të fitimit në një tender publik, nga një institucion shtetëror”, thuhej në këtë njoftim.

Në deklaratë të Policisë së Kosovës ishin dhënë edhe dyshimet për natyrën e veprave penale që pretendohet se janë kryer.

“Duke e përdorur këtë dokument të falsifikuar, i dyshuari: T.S., viti i lindjes 1977, mashkull, kosovar, ka arritur ta fitojë tenderin në vlerë prej 998.800 euro për renovim të një objekti. Personi në fjalë, dyshohet se pos veprës penale ‘falsifikim’, ka kryer edhe dy vepra të tjera penale: ‘keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik’ dhe ‘mashtrim’”, thuhej në këtë komunikatë.

KOHA përmes emailit e ka pyetur KPK-në nëse mund të tërhiqet paralele mes këtyre dy rasteve. Por ky institucion ka folur vetëm për suksesin e arrestimit të pronarit të kompanisë fituese në tenderin e parë, e nuk ka dhënë detaje për zvarritjen e dy kallëzimeve penale për kompaninë e Mustafës që është fituesi i radhës i po të njëjtit tender.

“Lidhur me këtë pyetje, siç edhe e dini tanimë, është ngritur aktakuzë ndaj fituesit të parë të tenderit për renovim të Prokurorisë Speciale”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

E ky institucion është zotuar që do të hetohet edhe “Beni Dona Plast”, nëse ka shkelur ligjin.

“Secili që ka shkelur ligjet e këtij shteti do te ballafaqohet me drejtësinë. Ndërsa përgjigja e plotë në pyetjet tuaja do të ishte e mundur pasi që të përfundojnë hetimet” , thuhet në përgjigjën e KPK-së.

Ky institucion ka sqaruar që në këtë tender kanë aplikuar vetëm dy operatorë dhe, sipas tyre, kompania e afaristit Mustafa ishte e vetmja e përgjegjshme.

“Konstatimi juaj nuk qëndron. Në këtë tender kanë konkurruar dy operatorë ekonomikë, ku pas të gjitha procedurave ligjore të parapara është konstatuar se njëri operator nga ana administrative ka qenë i përgjegjshëm”, thuhet në këtë përgjigje.

Image

Bëhen dhjetë ditë që KOHA përpiqet ta kontaktojë pronarin e kompanisë “Beni Dona Plast” dhe “Olti Traising”, Ragip Mustafën, por ai nuk është përgjigjur. Është kontaktuar edhe avokati i tij, Besnik Berisha, por ai ka thënë që i kanë dorëzuar të gjitha provat sqaruese në hetuesi dhe nuk kanë çfarë të deklarojnë.

Mashtrimi në prokurim publik është përfshirë në Kodin Penal të Kosovës më 2019 dhe cilësohet si vepër penale e veçantë.

“Kushdo që me vetëdije shkel rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke paraqitur dokumentacion të rremë, marrëveshje të fshehtë kundërligjore apo ndërmerr ndonjë veprim tjetër të paligjshëm me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik, dënohet me gjobë dhe burgim deri në pesë (5) vjet”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 415 të Kodit Penal.

E në rast që mashtrimi bëhet për vlera mbi 5 mijë euro, siç pretendohet të këtë ndodhur edhe në këta dy tenderë që së bashku mbërrijnë shumën e 11 milionë eurove, atëherë vepra penale parasheh dënim deri në 8 vjet.

(Në pjesën e katërt mund të lexoni: Cili institucion tjetër i drejtësisë i dha tender biznesmenit që po e heton? Cilat janë lidhjet e tij me politikën? Cilat janë raportet e Ragip Mustafës me zyrtarë të lartë të Policisë e Prokurorisë? Në çfarë udhëtimesh Mustafa u shoqërua me zyrtarë të shtetit dhe a kanë ndikim këto udhëtime që ky biznesmen të fitojë tenderë e hetimet t’i zvarriten?)