Grupi Koha (Koha Ditore, KTV, Koha.net, Tv Arta) ka vendosur që në zgjedhjet për anëtarësinë e re të Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) të kandidojë me tre gazetarë. Gazetari i “Kohës Ditore”, Fitim Gashi, është përzgjedhur të jetë kandidat për kryetar të Bordit të AGK-së, ndërsa gazetarja e “Koha Visionit”, Ardiana Thaçi, dhe gazetarja e “Kohës Ditore”, Elvira Berisha, kandidate për anëtare të Bordit.
Fitimi Gashi ka përfunduar studimet pasdiplomike për shkenca politike dhe administrim publik në kolegjin “Dardania”. Me gazetari merret që nga viti 2006. Ka punuar në disa mediume të shkruara: “Kosova Sot”, “Lajmi”, “Tribuna”, “Gazeta Sport” etj.
Që nga viti 2013 punon në gazetën “Koha Ditore” si reporter i lartë dhe mbulon zhvillimet politike. Ka qenë pjesëmarrës në disa konferenca dhe programe ndërkombëtare për promovimin dhe avancimin e gazetarisë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, gazetari Gashi ka thënë se ka vendosur të kandidojë për pozitën e kryetarit të AGK-së me propozim dhe mbështetje të kolegëve brenda kompanisë ku punon aktualisht dhe përkrahjes së kolegëve gazetarë nga mediet e tjera.
“Kjo do të jetë një sfidë e re për mua, të cilën assesi nuk do ta konsideroj si privilegj, por përgjegjësi. Do të jetë përgjegjësi për faktin se punojmë në një ambient të vështirë ku nuk respektohet liria e shprehjes, ku gazetarët kërcënohen, fyhen e shantazhohen; nuk u lejohet qasja në informata e ku pushteti dhe politikanët ndërmarrin nisma ligjore, me qëllimin që t'i disiplinojnë e t’i heshtin gazetarët dhe mediet”, ka thënë Gashi.
Kuvendi i jashtëzakonshëm i AGK-së, ku do të votohen kryetari i ri dhe bordi prej tetë anëtarëve, mbahet të martën, më 31 korrik 2018, në orën 14:00, në amfiteatrin e Shkollës Amerikane, pranë Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Duke uruar për një proces të rregullt zgjedhor, gazetari Gashi u ka bërë thirrje kolegëve nga të gjitha mediet që të marrin pjesë në numër sa më të madh në Kuvend, për t’u dhënë legjitimitet strukturave të reja drejtuese të AGK-së.
Kandidaturën për kryetar të AGK-së deri tani e kanë bërë publike edhe gazetarët Gentiana Begolli dhe Alban Selimi, që të dy punëtorë në RTK.