Drejtoria e Inspeksionit, me vendim të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, të premten ka filluar të rrënojë objektet të cilat janë të ndërtuara në afërsi të liqenit akumulues të lumit Ibër.
I pranishëm në këtë rast, ishte edhe drejtori i Inspeksionit të kësaj komune, Hysni Ahmeti, i cili tha se rrënimi i këtyre shtëpive po ndodh për të liruar pronën e Komunës, në mënyrë që të vazhdohet më tutje implementimi i projekti të liqenit akumulues.
Edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, tha se ky vendim është në përputhje me ligjin, pasi që ato shtëpi janë të ndërtuara në pronën komunale dhe tha se duhet të vazhdojë së implementuari projekti i liqenit akumulues.
“Projekti për rregullimin e liqenit në Suhadoll ka filluar në vitin 2014 dhe duhet të përfundojë plotësisht së realizuari në vitin 2020. Prandaj për t’u implementuar një projekt kaq madhor dhe milionësh në Komunën e Mitrovicës deri më tani janë rrënuar 14 shtëpi të cilat e kanë penguar realizimin e këtij projekti”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.
Sipas Bahtirit, projekti i ndërtimit të liqenit në Suhadoll ka kushtuar 4.5 milionë euro, dhe me implementimin e tij do të shpenzohen edhe 4 milionë të tjera, ku qytetarët mitrovicas, por edhe ata të komunave të rajonit të Mitrovicës e të Kosovës, do të kenë kushte jashtëzakonisht të mira për të pushuar, për t’u freskuar gjatë ditëve të verës dhe për të bërë plazh.
Po ashtu Bahtiri theksoi se banorët kanë qenë të njoftuar paraprakisht që shtëpitë e tyre janë të ndërtuara në pronë komunale dhe se duhet liruar ato prona që sa më parë të implementohet ky projekt.
Ai ka kërkuar që të kenë mirëkuptim edhe banorët e atyre shtëpive, pasi që si organ ekzekutiv komunal e kanë për obligim të zbatojnë ligjin dhe të implementojnë projektet të cilat sipas tij janë në të mirë të të gjithë qytetarëve.