Arbëri

Figura të rëndësishme jashtë kryesisë së PDK-së

Me arsyen se duan tu lënë hapësirë gjeneratave të reja, figura të rëndësishme të Partisë Demokratike që në të kaluarën kanë qenë edhe pjesë e qeverisjes, kanë vendosur të mos përfshihen në hierarkinë e lartë partisë. Ka edhe ish-ministra e kryetar komunash të cilët kanë vendosur të largohen nga partia, me arsyen se duan t’i përkushtohen jetës akademike. Zyrtarë të PDK-së thonë se largimet janë pjesë e reformës. Por sipas analistëve ato janë edhe si rezultat i humbjes së privilegjeve që disa prej tyre i kanë pasur gjatë qeverisjes së PDK-së

Përveç dorëheqjeve që pasuan zgjedhjen e re të kryesisë së Partisë Demokratike, figura tjera të rëndësishme të këtij subjekti refuzuan të bëhen pjesë e saj. Ish-nënkryetari i PDK-së, njëherësh zëvendëskryeministër e ministër gjatë qeverisjes së Thaçit, Hajredin Kuqi nuk është pjesë e kryesisë së re.

I pyetur nëse është larguar nga ky subjekt pas zgjedhjes së kryesisë, Kuqi e ka mohuar këtë duke thënë se ka zgjedhur të mbetet anëtar i Këshillit Drejtues, për t’u lënë hapësirë të rinjve.

“Jam anëtar i Këshillit Drejtues si dhe kam pasur ofertën për kryesi. Por kam menduar tu lë radhë më të rinjve”, ka thënë Kuqi për “Kohën”.

Një ish-ministër dhe kryetar komune nga PDK-ja nuk është më pjesë e kësaj partie.

Idriz Vehapi ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga partia vitin e kaluar për t’iu përkushtuar angazhimit në Universitet.

“Kam dhënë dorëheqje prej të gjitha pozitave që kamë pasur në parti dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë aktivitet. Arsyeja ka qenë vetëm me iu kthye jetës akademike”, ka potencuar ai.

Vehapi ka refuzuar t’i komentojë zhvillimet e fundit në PDK, me arsyen se nuk i njeh strukturat e reja dhe nuk ka marrë pjesën në asnjë takim.

Dorëheqjet, PDK-ja i quan reformë

Ndërkaq deputetja e tri mandateve Xhevahire Izmaku, para disa ditësh njoftoi për largimin me arsyen se më nuk beson në projektin e kësaj partie.

“Vendimi për t'u larguar nga shtëpia të cilën edhe vet e kam ndërtuar, nuk ishte aspak i lehtë, por rrugët tona ndahen këtu sepse unë më tutje nuk besoj në projektin dhe vizionin e PDK-së dhe kontributi im i mëtutjeshëm aty, nuk do të ishte i sinqertë”, kishte njoftuar ajo.

Edhe kryetarja e Forumit të Gruas në degën e PDK-së në Vushtrri, Gjylsime Feka dha dorëheqje nga Partia Demokratike e Kosovës dhe iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq Ish-kryetari i Gjilanit dhe kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, Qemajl Mustafa, pas dorëheqjes ishte ankuar për moskujdes nga ana e kryesisë qendrore.

“U pa që unë nuk isha profili që mundet me e ndreqë atë degë. Qendra ishte shumë e pakujdesshme ndaj nesh dhe unë e lirova hapësirën për gjeneratën e mesme që është e mirë nëse duan me u bashku. Hoqa dorë edhe për hir të respektit ndaj fitoreve tona të mira në të kaluarën”, kishte shkruar Mustafa pak ditë para mbajtjes së Konventës më 3 korrik.

I pyetur rreth largimeve, anëtari i kryesisë Blerand Stavileci thotë se reforma në Partinë Demokratike nuk është diçka e re.

“Ajo gjithmonë ka ekzistuar, pra është një proces dinamik i cili ka ndodhur dhe ka rrjedhur gjatë gjithë kohës. Edhe tash Partia Demokratike është e hapur për të gjithë, Partia Demokratike vlerëson punën e secilit individi. Po ashtu shpreh mirënjohje për secilin prej tyre që kanë dhënë kontribut dhe vazhdojnë të japin kontribut në Partinë Demokratike. Ashtu do të mbetet por që Partia Demokratike do të vazhdojë edhe më shumë t’i prijë ndryshimeve në këtë vend, sepse po e shohim edhe ajo çfarë po ndodh sot ka një nevojë të tillë”, ka thënë Stavileci.

Ai ka shtuar se për zgjedhjet lokale kanë caktuar kandidatët më të mirë, me numrin më të madh që janë të rinj dhe për herë të parë që garojnë për të parin e komunës, numër më të madhe grave si dhe asambleistë me moshën më të re.

“Kjo dëshmon më së miri që Partia Demokratike po e nis një periudhë të re për ta bërë një rikthim të fuqishëm”, ka potencuar Stavileci.

Mushkolaj: Tronditja filloi prej shkuarjes së liderëve të PDK-së në Hagë

Por analisti Imer Mushkolaj thotë se tronditja e PDK-së ka filluar prej shkuarjes së liderëve të saj në Hagë - Thaçit e Veselit dhe se largimet janë të pritshme.

“Të mos harrojmë se njerëz të rëndësishëm brenda PDK-së, figura të rëndësishme brenda PDK-së kanë qenë pjesë e PDK-së, disa edhe vazhdojnë të jenë, në radhë të parë për shkak të emrit të Hashim Thaçit, por pastaj edhe të Kadri Veseli. Kështu që ndërrimi i lidershipit të ri natyrisht se ka shkaktuar pakënaqësi të pritshme, sipas meje, për shkak se ata njerëz thjeshtë nuk mund ta konceptojnë se si një parti e cila gjatë dy dekadave është thirr se është parti e luftës, për shkak se vërtetë në krye të saj por edhe të tjerë të rëndësishëm janë njerëz që kanë marrë pjesë në luftë tash ka ardhur në situatën që të udhëhiqet nga dikush i cili nuk ka lidhje direkte me luftën dhe kjo duket se për ta ka qenë e papranueshme”, ka thënë Mushkolaj. Sipas tij, reforma nënkupton jo vetëm ndërrimin e emrave siç bëhet zakonisht në parti politike por edhe ndërrime më strukturale dhe substanciale.

"Kjo përpjekje që në fakt ka filluar më herët në PDK dhe që po vazhdon tash me lidershipin e ri, natyrisht se ka me ndikue që edhe emra të tjerë të rëndësishëm të Partisë Demokratike, të largohen nga kjo parti, thjeshtë ata nuk e shohin veten si pjesë e PDK-së, mirëpo jo vetëm për këtë arsye. Unë konsideroj se është edhe një arsye tjetër pse ata nuk e shohin veten si pjesë të PDK-s. Janë disa emra të cilët mbase një dekadë ose më shumë kanë gëzuar privilegje dhe poste të ofruara nga PDK-ja dhe tash thjeshtë konsiderojnë se nuk mund t’i gëzojnë më ato privilegje dhe kur nuk i gëzojnë ato privilegje zgjedhin që të tërhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës”, ka theksuar ai.

Përçarje edhe në bastione

Përçarjet brenda PDK-së u shtrinë edhe në njërën prej komunave bastion të saj.

Për shkak se kryesia qendrore e shpërfilli vendimin e degës në Drenas për ta kandiduar Driton Ajazin për kryetar komune, ish-deputeti Sejdi Hoxha u dorëhoq nga kryesia e degës.

“PDK në qendër e ka injoruar dhe e ka neglizhuar situatën e krijuar në Drenas duke mos e trajtuar me seriozitetin që e meriton, prandaj edhe duhet ta mbaj pjesën e përgjegjësisë për këtë situatë. Me qenë se problemet aktuale në degë tejkalojnë kompetencat e mia politike, unë në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejoj qe dega të ndahet pak muaj para zgjedhjeve lokale, sepse kjo do të ju shërbej vetëm konkurrenteve tonë politik dhe askujt tjetër. Prandaj si zgjidhje e vetme e imponuar pa dëshirën time kam marrë vendim që të jap dorëheqje të pa revokueshme nga pozita e kryetarit të degës në Drenas”, kishte shkruar Hoxha.

Pasi PDK-ja e nominoi kryetarin aktual të Drenasit, Ajazi vendosi t’i hyjë garës me nismën “Dekada e Re për Drenasin”. Beteja PDK-Ajazi u zhvendos edhe në KQZ. Pas një ankese të Partisë Demokratike se emri identifikohet me këtë parti, zyra për regjistrimin e partive ka kërkuar ndryshimin e emrit, duke u thirr në nenin e ligjit që kërkon shmangien e emrave që janë të ngatërrueshëm apo të ngjashëm. Por Ajazi ka thënë se nuk heq dorë nga emri me arsyen se ai ka qenë vetëm një slogan i PDK-së në njërin prej proceseve zgjedhore.

Denoncimin që iu bë në KQZ, Ajazi e ka interpretuar si përpjekje të PDK-së për ta dëmtuar atë në zgjedhjet lokale.

E, Mushkolaj thotë se këto përçarje do të kenë ndikim në zgjedhjet e 17 tetorit, marrë parasysh profilin e votuesve të PDK-së.

“Pra nuk duhet harruar se çfarë është votuesi i PDK-së, për çfarë ai ose ajo ka votuar përgjatë gjithë kohës për Partinë Demokratike ose të paktën këtë 10 apo 12-vjetëshin e fundit dhe si mund të ndikojnë tash këto ndërrime. Pra këto ndërrim dhe zhvillime në lidership të PDK-së thjeshtë janë të dhimbshme në kuptimin se mund të reflektojnë në votë, aq më shumë kur votuesi i Partisë Demokratike është ai që zakonisht ka votuar për emra të përveçëm ose emër të përveçëm që ka qenë në krye të Partisë Demokratike të Kosovës dhe rrjedhimisht shumë prej tyre edhe si klient të Partisë Demokratike”, ka deklaruar Mushkolaj.

“Ndërkohë që misioni i kryetarit të ri nuk është aspak i lehtë për shkak se duke pasur parasysh edhe të kaluarën e tij, jo direkt të lidhur me luftën pavarësisht se është i përfshirë në PDK qe një kohë të gjatë do të ketë efekt sidomos tek pjesa më radikale e PDK-së e cila gjithçka brenda PDK-së, pse jo edhe brenda qeverisjes së PDK-së dhe në përgjithësi në zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë i lidhin me luftën dhe njerëzit që kanë dalë nga lufta”.

Partia Demokratike mbeti pa kryetar më 5 nëntor të vitit 2020 kur Kadri Veseli dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.

Për 17 vjet, PDK-ja u drejtua ish-kryetari, Hashim Thaçi i cili po ashtu është në paraburgim në Hagë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte.

Me shumicë votash të delegatëve, Memli Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së në Konventën Zgjedhore të mbajtur më 3 korrik.

Aktualisht PDK-ja është subjekti më i madh opozitar me 18 deputetë.