Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka deklaruar se marrëveshja e arritur në Ohër më 18 mars midis Kosovës dhe Serbisë, është kthyer në kriter edhe për Beogradin që pa normalizim të marrëdhënieve nuk mund të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Të martën në “60 Minuta” të KTV-së, Fetoshi ka thënë se pa përmbyllje të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme midis dy vendeve, do të jetë e vështirë të parashikohet integrimi i shpejtë në BE për të dyja vendet.
“Pa përmbylljen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, do të jetë vështirë të parashikohet një ecje më e shpejtë drejt integrimit në BE, jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë e rajonin. Duhet t’i gëzohemi faktit që Marrëveshja e Ohrit është kthyer në kriter edhe për Serbinë në kuptim të kapitullit 35 dhe kjo do të thotë se pa normalizim të raporteve me Kosovën, Serbia nuk mund të ecë me shpejtësi në drejtim të anëtarësimit në BE, në anën tjetër e kemi shembullin e Kroacisë që është anëtarësim i veçantë nuk është në bllok”, ka thënë ai.
Sipas profesorit universitar, sa i përket zgjerimit, Bashkimi Evropian do të duhej t’i qasej në bllok Ballkanit Perëndimor.
“BE-ja do të duhej t’i qasej në bllok Ballkanit Perëndimor për shkak se nëse Serbia p.sh. do të ishte anëtare e BE-së, do të mund të na paraqitej rasti i njëjtë me problemin që kishte fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut për shkak të pengesave që paraqet Bullgaria si shtet anëtar i BE-së. Për të shmangur një situatë të tillë problematike me të cilat Ballkani në përgjithësi është i stërmbushur për shkak të trashëgimisë historike, mendoj se qasja më e mirë do të ishte në bllok”, është shprehur ai.
Fetoshi ka thënë se 9 Maji i këtij viti Kosovën e gjen në një stad më të avancuar sa i përket përafrimit me Bllokun.
“Sot kemi një stad më të avancuar në kuptimin e përafrimit të Kosovës me BE-në nëse i referohemi përmbylljes së procesit për liberalizimin e vizave dhe nëse i referohemi hapit të parë të rëndësishëm për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Këta janë indikatorë të rëndësishëm që i japin nxitje më të madhe procesit të integrimit të Kosovës në BE. Anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ishte fitorja më e madhe për Kosovën në 2 rrafshe. Në rrafshin e zhbllokimit të subjektivitetit ndërkombëtar pasi nga 2008-a e kemi parë që problemet me Serbinë janë kthyer në një pengesë esenciale për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Në anën tjetër duke qenë organizata më e rëndësishme në botë për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ishte një fitore e madhe për qytetarët që do ta fitonin një adresë shtesë në çfarëdo pretendimi për padrejtësi ndaj tyre dhe do të ishte nxitja më e madhe për konsolidimin e demokracisë sonë të brishtë”, ka theksuar ai.