Arbëri

Fetoshi: Serbia imiton strategjinë ruse në luftën e saj hibride kundër Kosovës

Sipas Arben Fetoshit, drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Serbia e imiton Rusinë në luftën e saj hibride që e bën kundër Kosovës.

Fetoshi ka thënë se më e dukshme është dezinformomi dhe propaganda që Serbia bën kundër Kosovës në vazhdimësi, duke ndërtuar edhe narrativa përmes së cilave synon të ndikojë në opinionin publik.

“Krejt aktivitetet që identifikohen nga ana e Serbisë në kuadër të luftës hibride kundër Serbisë janë imitim i modelit dhe strategjisë ruse kundër fqinjëve të saj. Në këtë rast, duhet të jemi të vetëdijshëm. Ajo çka më së shumti është e dukshme janë fushatat e dezinformimit, propaganda, narrativë që konsiston në mashtrimin e vazhdueshëm të opinionit serb në veçanti dhe të krijimit ndoshta të një polarizimi gjithnjë më të madh shoqëror në Kosovë, por që target kryesor e ka mashtrimin e opinionit ndërkombëtar sa i përket pozitës së serbëve në Kosovë. Narrativa kryesore që ka dy vjet që Serbia e ka ndërmarrë fuqishëm kundër Kosovës lidhet me atë që quhet ‘spastrimi etnik’ ose ‘terrori’ që Prishtina zyrtare ushtron mbi qytetarët serbë në Kosovë”, ka thënë ai.

Vizitën e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Kosovë, Fetoshi e ka cilësuar si ngjarjen më të rëndësishme të kohës së fundit kur është diskutuar shumë tërheqja ose jo e trupave amerikane nga Kosova.

Ai ka shtuar se Rusia përmes Serbisë synon ta minojë misionin e KFOR-it.

“Vazhdimisht Rusia ka pasë për qëllim ta shfrytëzojë situatën në terren për ta minimuar misionin e KFOR-it në Kosovë, për ta rritur sentimentin anti-perëndimor në krejt popujt e Ballkanit Perëndimor dhe duke e përdorur Serbisë si Proxy deri diku ia ka dalë që të krijojë pasiguri e frikë sa i përket të ardhmes”, shtoi ai.