Organizatorët e festivalit “Arog Fest” në Dragash kanë premtuar ndryshime për programin e paralajmëruar për 5 maj, pas reagimit komunal dhe të organizatave të dala nga lufta.
Një ditë më parë, veteranët e luftës dolën kundër një koncerti në të cilin parashihej të këndonin edhe këngëtarë nga Serbia. Veteranët kërkuan që ky koncert të mos mbahej në formën dhe datën e planifikuar. 5 maji është dita e Dëshmorëve të Kombit. Në të njëjtën ditë, organizimi i festivalit u fut në rend dite në takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, që për festivalin tha se në mënyrën e tillë të organizuar “bart rrezik për krijimin e tensioneve”.
Në një njoftim të shtunën, organizatorët kanë premtuar ndryshim të programit. Organizatorët madje kanë thënë se s’ka pasur nevoje fare për debate publike e politike sepse, siç thonë ata, do të mjaftonte një mesazh i qartë dhe do të ndryshohej programi. Organizatorët kanë thënë se kërkesën për organizim e kanë dorëzuar më 6 mars.
“Arog Fest nuk është thjesht një festival – është një festë e bashkimit, traditës dhe gëzimit tonë. Duke respektuar të gjithë qytetarët tanë, sapo u informuam për rëndësinë e datës 5 maj, menjëherë shprehëm gatishmërinë për të ndryshuar programin dhe për të treguar respekt maksimal ndaj të gjithë veteranëve dhe qytetarëve. Prandaj, do të ketë ndryshime në programin muzikor – disa këngëtare nuk do të performojnë dhe programi do të përshtatet me rrethanat”, thuhet në njoftimin e festivalit.
“Muzika për ne nuk është ndarje – është liri, gëzim dhe bashkim! Gjithashtu, shprehim respekt të thellë për të gjithë dëshmorët që kanë rënë për Republikën e Kosovës, sakrifica e të cilëve nuk do të harrohet kurrë. Qëllimi ynë është i thjeshtë dhe i qartë: Një ditë muzike, miqësie dhe bashkimi, për të gjithë! Arog Fest është dhurata jonë për popullin tonë – një shenjë dashurie, respekti dhe shprese për të ardhmen”.
Organizatorët kanë përsëritur se ideja për organizimin e festivalit ka lindur me qëllim të bashkimit të Gorës, Zhupës dhe Podgorës përmes muzikës.