Ushqime dhe pije falas janë në dispozicion për fëmijët, ndërkohë që ata po lozin dhe po vizatojnë në rrugë.
Me biçikleta me vete, nxënësit e shkollës fillore “Elena Gjika” po e shijojnë këtë festë në maksimum, përderisa Komuna e Prishtinës po e promovon lëvizjen e lirë e pa vetura brenda qytetit.
Ky është një testim i radhës i Prishtinës, me anë të të cilit po synon të ofrojë siguri për nxënësit e shkollave të Prishtinës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se një pilot-projekt i tillë do të vazhdohet edhe nëpër shkolla të tjera.
Këshilltari komunal nga radhët e LDK-së, Pëllumb Bajçinovci, tha se janë duke marrë edhe mendimin e banorëve të kësaj lagjeje nëse kjo rrugë do të mbetet njëkahore apo do të shndërrohet në një mini-shesh.
Këtë iniciativë e ka mirëpritur edhe Bekim Sylejmani, drejtor i shkollës më të vjetër në kryeqytet.
Mësimdhënësja Blerta Zeqiri-Hasani, thotë se dy fëmijët e saj që frekuentojnë po të njëjtën shkollë kanë qenë në rrezik të pësojnë aksident nga veturat.
Të shtunën festë ka pasur në qendër, në rrugën “Xhorxh Bush”, ku numri i qytetarëve që po shëtisnin në këmbë e me biçikleta apo trotinete ishte i madh.
“Duhet dhënë hapësirë edhe qytetarëve, pensionistëve, fëmijëve, që të kenë më shumë hapësirë që të qarkullojnë më lehtësisht dhe më lirshëm, sepse nuk është për çdo gjë ta marrësh veturën e të dalësh në qytet e të pish kafe para kafenesë”, tha Luan Hashani.
“Po ndihemi më të përkrahur, më të fuqishëm, po ndihemi që ka hapësirë dhe po e shohim që ka mundësi të bëhet edhe e përditshme kjo. Jo vetëm të bëhen faza testuese, por të bëhet njëherë e përgjithmonë dhe po shihet se sa janë në gjendje ta përdorin qytetarët. Besoj që kryetari do ta marrë parasysh që të bëhet shtegu, ashtu siç na ka premtuar që do të bëhet shtegu përreth unazës”, that Berat Rakovica, kryetar i grupit “Marakli t’biciklave”.
Megjithatë, në bulevardin “Bill Clinton” kishte edhe tollovi, megjithatë, më pak sesa testin e kaluar.
“Është tmerr rruga. Duhet të bëhet zgjidhje tjetër, e jo të bëhen eksperimente të këtilla. Javën e kaluar nuk isha këtu, por tash po e shoh se qenka bërë kaos krejt, në përgjithësi”, tha qytetari Muhamet Jupa.
“Javën e kaluar nuk kam qenë në Kosovë, nuk di, nuk e kam përjetuar, mirëpo sot është siç po shihet... Është kaos i vërtetë edhe humbje kohe, mirëpo në qoftë se do të ishte bërë një studim më i mirë i mobilitetit, besoj që do të mund të arrihej një sukses i cili kërkohet aktualisht të arrihet me tentativat e radhës”, tha qytetari Astrit Pira.
“Ditë vikendi dhe është në gjendje ta bëjë këtë, kjo është jonormale. Jemi me biznes. Bredhim dy orë rrugëve dhe nuk mund t’u shërbejmë (v.j klientëve), një shërbim ta bëjmë. Nuk mund ta parashikoj se çfarë ka menduar ky kryetari i Komunës kështu”, tha Baki Gjibegji, qytetar tjetër.
Kryetari Përparim Rama ka deklaruar se gjendja është dukshëm më mirë sesa në testimet e kaluara. Ka shtuar se testimet pritet të përfundojnë në fund të vitit, kur është zotuar se do të zbatohet qarkullimi njëkahor në qendër.
“Paralelisht me testimet bëhen edhe planifikimet, sepse tash duhet qasja edhe në bazë të informatave që i kemi dhe planifikimet për shenjëzimin e ri të rrugëve, për funksionalizimin e pjesëve të ndryshme, për shembull për parking apo stopa për autobusë. Të gjitha këto po menaxhohen, po planifikohen, po dizajnohen. Mendojmë, planifikojmë që deri në fund të vitit ta kemi të zgjidhur aspektin e sistemit njëkahor. Kjo është paralele, normalisht me pikat e tjera përreth, ku ne mundësojmë parkingje për qytetarë që vijnë nga jashtë dhe transport alternativ që thashë për biçikleta, trotinete e autobusë, në mënyrë që të kemi një ndërlidhje të mirë të mobilitetit të qytetit”, deklaroi Rama.
Sipas Ramës, qarkullimi njëkahor në kryeqytet paraqet kthim të hapësirës publike të dominuar nga veturat te banorët e tij, pasi 73 për qind të tyre nuk janë ngasës të veturave.