Qindra qytetarë e kanë nisur festën për Vitin e Ri që nga paraditja. Teksa nëpër rrugët e Prishtinës ka pasur gjatë ditës komunikacion të ngjeshur, në sheshin e zgjatur të kryeqytetit, numër i madh i qytetarëve kanë festuar nën organizimet e Komunës për festat e fundvitit
Me komunikacion të ngjeshur janë ballafaquar qytetarët në pjesë të ndryshme të Prishtinës, në ditën e fundit të vitit.
Për t’i shmangur kolonat, disa nga prej tyre kanë thënë se kanë zgjedhur t’i parkojnë veturat larg qendrës dhe të bëjnë xhiro në këmbë përgjatë sheshit të bulevardit, “Xhorxh Bush”.
E aty, nga Komuna e Prishtinës, në kuadër të përgatitjeve për festën e Vitit të Ri, janë organizuar koncerte me grupe të ndryshme muzikore.
“Rastësisht erdha në Prishtinë me fëmijët. Nuk isha i informuar për këtë organizim, mirëpo më pëlqen shumë dhe fëmijëve po u pëlqen shumë. Nuk kam hyrë në qytet, veturën e kam lënë jashtë”, ka thënë Zaim Zenuni.
“Organizimi është perfekt, e falënderoj kryetarin më së pari Përparim Ramëm, që e ka organizuar këtë shesh, këtë ndejë dhe që u zgjat pak se s’kemi pasur vend atje përpara. Po më pëlqen e ishalla vazhdon si ka qenë”, ka thënë Denis Peja.
“Është kënaqësi e madhe që marr pjesë në një eveniment të tillë, unë vetë s’e mendoja më përpara se do të shihja një kënaqësi të tillë. Unë i uroj popullit kosovar, shqiptar shëndet, mbarësi e lumturi. Kemi dalë me nipa e mbesa komplet”, ka deklaruar Et’hem Bollani.
Në sheshin e zgjatur të Prishtinës, grupe e ansamble të ndryshme kanë performuar për fëmijë nga ora 13:00 deri në 16:00. E duke nisur nga ora 23:00, do të organizohen koncerte për të rinjtë, me performancat e artistëve të ndryshëm të muzikës.