Pak ditë pas protestës së banorëve të tri fshatrave të Drenasit për ndotjen nga fabrika e “Ferronikelit”, kjo kompani ka filluar të mbulojë me dhe deponinë ku ka hedhur skorien. Por, sipas aktivistëve kjo është një tendencë për të mbuluar skandalin që kanë bërë në atë pjesë. Dëmet nga mostrajtimi i këtyre mbetjeve janë konstatuar edhe shkencërisht.
Disa ekskavatorë po mbulojnë me dhe deponinë e skories së “Ferronikelit”. Po bëhet vetëm pak ditë pasi banorët e tri fshatrave të Drenasit protestuan para Ministrisë së Mjedisit në Prishtinë, për shkak të ndotjes së mjedisit nga kjo kompani.
Por sipas aktivistëve mjedisorë ky aktivitet përbën përpjekje për të mbuluar, siç thonë, “krimin mjedisor”.
“Ky është skandal në vete dhe unë e kam thënë në bazë të informacioneve që ky është kontaminim për një shekull që vjen mbrapa pasi që kjo shtresë është aq e imë që buron nëpër burime të ujit dhe shkon deri tek banorët rreth e rreth tek banorët e shtëpive”, është shprehur aktivisti Xhavit Drenori.
Deponia aktuale ku hidhet skoria është jo shumë larg shtëpive. Banorët afër deponive ankohen se ndotja e ajrit, ujit dhe tokës nga to ua ka bërë të vështirë jetesën. Akuzojnë kompaninë që nuk po i mbulon kamionët që po bartin skorien dhe po ndotin çdo gjë.
Dëmet mjedisore nga “Ferronikeli” dhe deponitë e saj janë konstatuar edhe shkencërisht. Profesori i universitar i kimisë, Skender Demaku, ka bërë disa hulumtime për këtë, të cilat i ka publikuar në revista shkencore ndërkombëtare.
“Mbulimi me dhe me dhera të pasura deponive sterile aq ma shumë e ndotë ujërat nëntokësor, pasi aty nuk ka izolim të këtyre materialeve të padobishme.... Me kalimin e kohës bëhet përzierja e dherave të pastra me këtë material që e ka hedhur Feronikli dhe ne e kemi eliminuar një ndotje të ajrit dhe i kemi ndotur ujërat sipërfaqësore me shkarkime, por me migrimin e tyre edhe ujërat nëntokësore, prandaj kjo është e papranueshme”, ka thënë Demaku.
Por këto gjetje janë kontestuar nga “Ferronikeli”. Në një përgjigje me shkrim kanë thënë se mbulimi po bëhet ashtu siç parasheh Leja e Integruar Mjedisore.
“Mbulimi po bëhet me dhe humus, me qëllimin që më pas të rikultivohet e gjelbërohet hapësira e sipërme. Trajtimi i hapësirës do të vazhdojë edhe më tutje në faza të reja të projektit. Ujin që e keni parë ju, nuk është ujë burimor, por është ujë sipërfaqësor që mblidhet aty si pasojë e të reshurave atmosferike dhe si i tillë nuk rrezikon që të depërtojë në puset e ujit për pije të banorëve përreth”, thuhet në përgjigje.
Ndërsa nga Ministria e Mjedisit nuk janë përgjigjur në pyetjen nëse kanë bërë inspektimet për të parë gjendjen atje.
Më 2018, për shkak që Kosova kishte dështuar të gjente një lokacion për ndërtimin e një deponie që do t’i eliminonte këto mbetje, Bashkimi Evropian kishte tërhequr fondet prej 12 milionë eurosh të dedikuara për këtë deponi.