Arbëri

Fermerëve nuk po u kompensohen dëmet nga vërshimet, vetëm në Ferizaj vlera arrin në 700 mijë euro

Të gjithë fermerët nga Ferizaj, qershorin e vitit të kaluar, pësuan humbje të mëdha në bujqësi.

Njëri prej tyre është Salih Ilazi, të cilit, 80 përqind e tokës së punuar me grurë dhe misër iu dëmtua nga breshëri dhe vërshimet e mëdha, raporton KTV.

Ndonëse kanë kaluar tetë muaj nga ajo kohë, fermerët ende nuk janë kompensua.

Kjo pavarësisht vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kërkoi nga vartësit e tij kompensim të menjëhershëm në të gjitha komunat.

Fermerët thonë se gjendja veçse është vështirësuar tani kur kanë nisur mbjelljet pranverore. Sipas tyre, nga humbjet e vitit të kaluar, sivjet nuk do të mund t’i mbulojnë shpenzimet e punimit të arave.

Thonë se edhe shpallja për përfitim të subvencioneve ende nuk është bërë, gjë që, siç thonë, do të duhej të ndodhte para nisjes së mbjelljeve.

Në Komunën e Ferizajt thonë se vlera e dëmeve është 700 mijë euro.

Sipas drejtorit të Bujqësisë, kërkesat për kompensim kanë qenë të shumta drejt Ministrisë së Bujqësisë, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

Fermerët thonë se revoltën e tyre do ta shprehin edhe në Ministri të Bujqësisë.

Kohavisioni ka pyetur për këtë çështje edhe Zyrën e Kryeministrit Haradinaj, por zëdhënësja Donjeta Gashi ka thënë se pyetjet duhet drejtuar në Ministri të Financave.

Në këtë të fundit, kanë thënë se përgjegjëse për këtë çështje është Ministria e Bujqësisë, ministri e cila nuk ka kthyer përgjigje.