Deri sivjet fermerët e fshatin Jabllanicë e ata të Leshanit të Pejës i kanë ujitur tokat nga penda e ndërtuar në vitin 2015 në fshatin Kliqinë nga Ministria e Bujqësisë dhe Komuna e Pejës.
Por kjo pendë, që ka kushtuar 160 mijë euro dhe ka qenë burimi i vetëm i jabllanicasve për ujitjen e rreth 100 hektarëve tokë, është shkatërruar.
Fermerët e Jabllanicës pohojnë se penda është dëmtuar fillimisht si pasojë e eksploatimit ilegal të zhavorrit buzë shtratit të lumit.
“Është dëmtuar në masën që është e pashfrytëzuar nga fermerët këtë vit, që e kemi një verë shumë të thatë, na dëmtohen të gjitha produktet që ne i kemi mbjellë, misër, livadhe, jonxhë dhe produktet tjera bujqësore”, ka thënë Sali Abazai, fermer nga fshati Jabllanicë e Leshanit.
Në komunë pohojnë se ka qenë e pamundur sanimi i pendës kur është dëmtuar muri anësor, për shkak të sasisë së madhe të ujit.
E në pritje të uljes së nivelit të ujit, penda është shembur, por për ndërtimin e një të reje nënkryetar i Pejës, Fatmir Asllani, thotë se nuk kanë mjete.
“Do të planifikojmë për vitin e ardhshëm çka mundemi të bëjmë, sepse investimi është jashtëzakonisht i madh ose ajo pendë duhet mu ndërtua krejt prej fillimit për faktin se dëmet që janë shkaktuar aty janë të pariparueshme, sipas konstatimeve që ne i kemi”, ka thënë Fatmir Asllani, nënkryetar i Komunës së Pejës.
Asllani tha se për dëmtimin e pendës do ta njoftojnë edhe Ministrinë e Bujqësisë, me shpresën se do ta bashkëfinancojnë.
Për dëmtimin e pendës KOHA ka raportuar në muajin prill dhe më pas Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetimet, të cilat sipas zëdhënësit të saj, Shkodran Nikçi, ende janë në zhvillim.
Inspektim në terren, pas raportimit të KOHËS kishte paralajmëruar edhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Sipas zyrtares ekzekutive të këtij komisioni, Lartana Frangu, gjatë inspektimit është konstatuar se dëmtimi ka ndodhur si pasojë e dëmtimit të bankinës në pjesën e sipërme të pendës.