Arbëri

Fermerët alarmojnë se kriza në Ukrainë mund të sjellë krizën për bukë

Kriza në Ukrainë ka rrezik që të prodhojë krizën për bukë në botë, kanë alarmuar fermerët. Si argument kanë përmendur faktin se Rusia dhe Ukraina eksportojnë rreth 30 për qind të grurit në nivel global.

“Sepse nëse kriza zgjerohet atëherë ka me pas pasoja shumë të mëdha për ushqim, duhet me u marrë seriozisht me rezerva shtetërore”, tha fermeri Mehdi Bresilla.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar të shtunën se Kosova ka 3 deri në 6 muaj rezerva të grurit.

Por, për fermerin Mehdi Bresilla kjo rezervë nuk është e mjaftueshme. Ai kërkon që prioritet shtetëror e shoqëror të jetë ushqimi.

“Aktualisht nuk jemi të përgatitur, megjithëse ndëgjova një informatë se kemi rezerva për 6 muaj, por nuk duhet bazuar në këto rezerva që i kemi”, tha ai.

Për ta përballuar këtë situatë ai ka kërkuar mbështetje nga shteti.

Të hënën, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka përmendur subvencionimet si mundësi e rritjes së kulturave bujqësore.

“Për vitin 2022 do të bëjmë shpalljen e programit të rregullt për subvencione ku vlera e rritjes së buxhetit këtë rast do të jetë një shifër fillestare 10 milionë euro”, deklaroi Peci.

Prodhuesit e grurit thonë se Kosova mbulon 60 për qind të nevojave të brendshme. Por, sipas fermerit Bresilla, kjo nuk është e vërtetë dhe bëhet sa për të arsyetuar subvencionet që i marrin.

“Subvencioni është dhënë për 60 për qind, por nuk është marrë ajo sasi e grurit”, tha Bresilla.

Për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në subvencionimin e tokave bujqësore janë arrestuar dhjetëra zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas të dhënave të po kësaj Ministrie, në vitet ‘90 në Kosovë janë llogaritur 577 mijë hektarë tokë bujqësore. 20 vjet pas luftës, 164 mijë hektarë llogariten se ose janë shkatërruar ose ridestinuar.