Arbëri

Ferizajt iu morën sivjet 3 mln euro, detyrime nga kontratat kolektive për mësimdhënës

Komunës së Ferizajt i janë hequr nga buxheti 3 milionë euro, e të cilat ishin detyrime nga kontrata kolektive për mësimdhënësit. Edhe 3 milionë euro të tjera parashihet t’i hiqen gjatë vitit të ardhshëm, për të njëjtin qëllim. Opozita akuzoi pushtetin lokal për paaftësi dhe keqmenaxhim të situatës. Nga Komuna theksuan se ka qenë e pamundshme të bëhej planifikimi i pagesave shkaku i mungesës së buxhetit

Nëpërmjet përmbaruesve, Komunës së Ferizajt i janë marrë nga llogaria bankare rreth 3 milionë euro vetëm sivjet, meqë nuk ua ka paguar mësimdhënësve pagat jubilare dhe shpenzimet e tjera të cilat parashihen me kontratën kolektive të vitit 2017, e lidhur mes Qeverisë dhe SBASHK-ut.

Edhe 3 milionë euro të tjera parashihet t’i hiqen gjatë vitit të ardhshëm, për të njëjtin qëllim.

Fejzullah Vranovci është kryetar i Sindikatës së Arsimit në Komunën e Ferizajt, dhe thotë se vendimet gjyqësore i obligojnë institucionet t’i bëjnë pagesat.

“Qeveri, DKA, Komunë le të koordinohen për hera të tjera, se si është problemi ne nuk e dimë, mirëpo mos të ngarkohet buxheti i taksapaguesve të komunës, mirëpo le ta gjejnë një mes. Pra neve naj mundëson kontrata kolektive, ndërkaq mënyra se gjenden këta si Qeveria e Komuna, ne nuk i dimë”, ka thënë Vranovci.

Përfaqësues të Lidhjes Demokratike në Ferizaj akuzuan ekzekutivin për paaftësi dhe keqmenaxhim të situatës.

“Nga viti në vit komuna ka qenë e papërgatitur, nuk e ka menaxhuar mirë situatën dhe nuk e ka planifikuar mirë as buxhetin e as të hyrat të cilat është dashur të alokohen në sektor të ndryshëm. Kjo ka rezultuar në veprime të drejta të përmbaruesve”, ka theksuar Visar Aemi, kryetar i LDK-së në Ferizaj.

Por Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se ka qenë e pamundshme të bëhej planifikimi i pagesave shkaku i mungesës së buxhetit.

“Të gjitha ato kalkulime që i kemi bërë dhe pastaj një kërkesë që e kemi bërë në Ministrinë e Arsimit dhe atë të Financave për të na kompensuar me kontratën e mëparshme, ka qenë diku afërsisht 3 milionë euro, por po besojmë e njëjta do të jetë edhe kontratë, e cila në fakt mendimi juridik i Gjykatës Supreme do të na bien të njëjtën barrë diku afërsisht 3 milionë euro, që do të jenë shpenzime për pagesa të pagave, inflacionit dhe procedurave të tjera që janë përmes gjykatave të ndryshme”, është shprehur Llabjani.

Ministria e Arsimit nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.