Qytetarët e Ferizajt gjatë ditëve të fundit po përballen nga insekte të ndryshme të cilat janë shfaqur në masë të madhe pas ngritjes së temperaturave. Ndërkohë Komuna ka nisur implementimin e një projekti për dezinsektim të hapësirave publike, por kërkon nga qytetarët dhe bletarët të kenë kujdes gjatë katër ditëve të ardhshme.
Pas ngritjes së temperaturave, numri i qytetarëve që po kërkojnë ndihmë në qendra shëndetësore në Ferizaj për shkak të pickimit të insekteve është rritur dukshëm.
Për këtë Komuna ka nisur fazën e parë të dezinsektimit të hapësirave publike në qytet dhe fshatra.
“Kemi raste që kanë kërkuar ndihmë, konkretisht familjarët e mi, sidomos fëmijët kanë pasur nevojë për ndihmë të pediatrit pasi që kanë qenë të pickuar prej mushkonjave dhe insekteve të cilat po na dëmtojnë dhe po na bëjnë jetën e mërzitshme”, ka thënë Ekrem Bibaj, banor i Ferizajt.
“Është e nevojshme dhe duhet sa më shpejt të bëhet dezinsektimi jo vetëm në qytet por edhe nëpër fshatra sepse edhe nëpër fshatra ka mjaftë shumë insekte. Ndërkaq, sa i përket bletëve duhet të lajmërojnë se kur duhet të mbyllen që mos të dalin jashtë”, ka deklaruar Lutfi Hyseni.
Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Ferizajt, Kemajl Emini, ka thënë se do të realizohen katër faza të dezinsektimit të cilat, sipas tij, janë të domosdoshme pas rritjes së numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë në institucionet shëndetësore.
“Çdo kund pickojnë, por edhe tek ne ka raste që janë lajmëruar por puna jonë është që t’i ndjekim procedurat dhe që të bëjmë më të mirën dhe të shtohet më shpesh dezinsektimi në mënyrë që mos të ndodhin këto raste”, është shprehur Emini.
Përfaqësuesit e kompanisë së dezinsektimit kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për sa kohë do të zgjasë ky proces.
“Pesë ditë para implementimit të dezinsektimit hapësinor është bërë edhe njoftimi i cili është përcjellë tek bletarët dhe qytetarët e komunës së Ferizajt. Ky projekt fillon nga ora 20:00 dhe do të vazhdon deri në orën 1:00 pas mesnate, prandaj lutemi qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë këtyre katër ditëve”, ka thënë Kron Gashi, përfaqësues i “Ekologjisë”.
Faza e dytë e desinsektimit do të realizohet pas 21 ditësh.