Arbëri

Ferizaj pa barnatore të hapura pas mesnatës

Sipas banorëve të Ferizajt, ata pas mesnatës nuk arrijnë të gjejnë asnjë barnatore të hapur në qytet, për shkakun që Komuna ende nuk e ka hartuar një rregullore që do ta përcaktonte orarin e kujdestarive për farmacitë. Zyrtarë të Komunës bënë të ditur se e kanë trajtuar këtë çështje dhe se në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal do ta prezantojnë për miratim rregulloren

Banorë të shumtë nga Komuna e Ferizajt kanë shprehur ankesë se asnjë nga barnatoret e qytetit nuk punon pas mesnatës dhe as në ditët e festave zyrtare.

Ata thonë se për këtë arsye janë detyruar shpesh që të udhëtojnë nëpër qytetet fqinje për t’i marrë shërbimet që u nevojiten.

E autoriteteve komunale ata u bëjnë thirrje që ta hartojnë një rregullore për përcaktim të orarit të punës së barnatoreve.

“Duhet të ketë kujdestari dhe duhet të mbetet një barnatore e hapur gjithë natën, deri në mëngjes... Kanë nevojë se banor ka shumë Ferizaj, 100 mijë a më shumë banorë janë këtu, andaj pa qare duhet me qenë e hapur patjetër një barnatore”, ka thënë banori i fshatit Koshare, Ali Murtezi.

Të njëjtin shqetësim e ndajnë edhe banorët e vetë qytetit.

“Shqetësuese është, duhet të kenë parasysh sepse ka sëmundje kronike, ka njerëz me temperaturë vakt e pas vakti, andaj me çdo kusht duhet me pas barnatore kujdestare gjatë natës”, ka deklaruar Muhabin Neziri, banor i Ferizajt.

Kemajl Emini, drejtor i Shëndetësisë dhe i Mirëqenies Sociale në Komunën e Ferizajt, thotë se ditë më parë është zhvilluar një takim me të gjithë drejtorët shëndetësorë të komunave, me qëllim të organizimit të përbashkët rreth kujdestarive të barnatoreve.

Ai bëri të ditur se Komuna e Ferizajt ka themeluar një komision profesional që do të merret me organizimin e kujdestarive.

“Në atë komision është një anëtar nga Shoqata e Farmacistëve të Ferizajt, një është nga QKMF-ja, ka anëtarë nga Inspektorati nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe nga Zyra Ligjore në mënyrë që të bëjnë koordinimin, bashkëpunimin për të caktuar orarin e kujdestarive të barnatoreve për qytetin e Ferizajt... është mbajtur kujdestaria nga disa barnatore vullnetare, por kjo do të rregullohet në aspektin juridik sikur që është e rregulluar edhe për qytetet e tjera”, ka deklaruar Emini.

Emini ka bërë zotimin se në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal do të prezantohet për miratim rregullorja e re për kujdestaritë e barnatoreve.