Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe ata të Lidhjes Demokratike (LDK), subjekte opozitare në Ferizaj, kanë kritikuar autoritetet lokale për ngecjen, teksa kanë pretenduar se ka tendenca që lejet ndërtimore Komuna t’ua lëshojë sipas interesave personale, duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal
Që nga viti 2018, Komuna e Ferizajt nuk ka arritur që ta përgatis dokumentin e hartave zonale, i cili i përcakton koeficientin e ndërtimeve të larta, ndërtimet e objekteve shkollore dhe shëndetësore, infrastrukturën rrugore, hapësirën gjelbëruese dhe çdo ndërtim tjetër që lidhet me zhvillimin e qytetit.
Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe ata të Lidhjes Demokratike (LDK), subjekte opozitare në Ferizaj, kanë kritikuar autoritetet lokale për ngecjen teksa kanë pretenduar se ka tendenca që lejet ndërtimore komuna t’u lëshojë sipas interesave personale, duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal.
Brahim Osmani, asamblist i LVV-së, ka thënë se qyteti i Ferizajt është degraduar me ndërtesa të larta të ngritura pa kritere, teksa ka kërkuar nga drejtoria e Urbanizmit që sa më parë të përgatitet dokument i hartave zonale.
“Në vitin 2017, Kuvendi Komunal e ka miratuar Planin Zhvillimor Komunal dhe pas miratimit të këtij dokumenti është dashur që të miratohen edhe hartat zonale, sipas ligjit për planifikim hapësinor. Por ndoshta kjo është bërë me qëllim të degradimit të qytetit të Ferizajt, duke bërë ndërtime pa kritere dhe pa hapësira gjelbëruese dhe duke e parë një ndërtim të egër. Kjo zvarritje po ndodh me qëllim, sepse ekzekutivit po i konvenon që në disa raste lejet të jepen me PZHK, duke u arsyetuar se ligji i planifikimit nuk po ua lejon të refuzohen lejet”, ka thënë Osmani.
E Flamur Istrefi, asamblist nga radhët e LDK-së, ka shprehur pakënaqësinë që dokumenti, i cili ka marrë miratimin në Kuvendin Komunal dhe më pas është nxjerrë në shqyrtim publik, nuk është kthyer në Kuvend për votim të versionit final.
“Arsyet janë të shumta por njëra prej arsyeve është se pushteti aktual, në mungesë të hartave zonale për ndërtimet në komunën tonë, është thirrur në PZHK e nganjëherë edhe në ligjin e ndërtimit. Pra, ka përdorur standarde të dyfishta. Aty ku ka pasur nevojë për të dhënë leje për biznese është thirrur në ligjin për PZHK, ndërkaq për ndërtime të varrezave e spitaleve është thirrur në ligjin për ndërtim”, ka thënë Istrefi.
Por, drejtori për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqi, ka thënë se zvarritja e finalizimit të hartave zonale ka ndodhur për shkak të procedurave administrative, gabimeve teknike dhe procedurave të përgatitjes për shqyrtime publike me qytetarët.
“Për shkak të numrit të madh të kërkesave të qytetarëve ne nuk kemi arritur ende t’i shqyrtojmë të gjitha ato, por besojmë se deri në fund të javë së ardhshme do ta përmbyllim si proces shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave të qytetarëve dhe pas kësaj jemi të obliguar që prapë të aplikojmë në ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për votimin e hartës zonale”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka sqaruar se pas rikthimit të dokumentit nga niveli qendror, ai do të sillet për miratim para anëtarëve të Kuvendit Komunal ndërkaq ka paralajmëruar se hartat zonale do të jenë të gatshme brenda këtij viti.