Arbëri

Ferizaj mbushet sërish me mbeturina

Punëtorët e kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj nuk po i mbledhin mbeturinat nëpër rrugët e qytetit. Ata po e bojkotojnë punën duke kërkuar rritje të pagës e shkarkim të kryeshefit të kompanisë

Qyteti i Ferizajt është mbushur me mbeturina shkaku që punëtorët e KRM “Pastërtia” tash e pesë ditë janë duke e bojkotuar punën.

Ata po kërkojnë rritje të pagës e shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv Basri Syla.

Qytetarët janë ankuar për kundërmim e kërkojnë nga institucionet të gjejnë një zgjidhje për pastrimin e mbeturinave.

“Një përgjegjësi duhet me jep komuna, kjo është rëndim i madh edhe për masën, edhe për shëndetin dhe për të gjithë”, ka thënë Gafurr Qalaj, qytetar.

“Ata ndoshta e kërkojnë një pagë ose një të ardhme më të mirë, sepse është e drejta e tyre. Kanë nevojë, sepse nuk kanë dorëza e as rroba, andaj kërkojnë me iu plotësua kushtet edhe atyre, por edhe me pagë, sepse paga prej 300 apo 350 eurosh dhe të punojnë deri në 3 të natës është pak e rëndë”, ka shtuar qytetari tjetër Ekrem Karaliti.

Edhe opozita në këtë qytet ka kritikuar pushtetin për moszgjidhje të kësaj çështjeje.

Në fakt, çështja e punonjësve të KRM “Pastërtia” është duke u përsëritur tash e disa herë. Edhe herë të tjera janë futur në grevë me kërkesa të njëjta, e për pasojë qyteti është mbuluar nga mbeturinat.

“Duke qenë se ky është një problem i njohur dhe është ngritur disa herë në konferencat e mëpasshme , mospërmirësimi i kësaj situate është mjaft shqetësuese. Në këtë kontest si qytetarë dhe kontribuues të këtij qyteti jemi shqetësuar për ndikimin e kësaj situate në cilësinë e jetës sonë të përditshme. Mungesa e mbledhjes së rregullt të mbeturinave ka krijuar një ambient jo vetëm të pashëndetshëm, por edhe të rrezikshëm për shëndetin dhe mjedisin tonë”, ka thënë asamblistja nga radhët e LDK-së, Verona Isaku.

“Si pasojë e politizimit të kësaj kompanie dhe për keqmenaxhimin e saj kërkojmë shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie”, ka shtuar Besim Haziri, asamblist, po ashtu, nga LDK-ja.

Nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, ka thënë se Ligji për grevat e tregon qartë se punëtorët e tillë nuk kanë të drejtë të mbajnë grevë më shumë se një orë brenda ditës.

“Hapi që do të ndërmarrim ne është hap ligjor që t’i mbledhim mbeturinat në qytet, sepse e kemi obligim ligjor, ndërkohë që do të marrim masa ndaj KRM ‘Pastërtia’ në lidhje me kontratat për të cilat ajo nuk po i realizon. Hapat që do të marrim është lidhja e marrëveshjeve me kompanitë e tjera qoftë publike apo private dhe prishja e kontratës apo marrja e licencës e të drejtës për operim të KRM ‘Pastërtia’”, ka thënë Aliu.

E drejtori i KRM “Pastërtia”, Basri Syla, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me këtë çështje.