Arbëri

Fëmijët në kremte për ditën e tyre

Ditën e tyre, fëmijët e festuan me një numër aktivitetesh në kryeqytet. E, ata që u përkasin kategorive të cenueshme, kërkuan më shumë mbështetje nga institucionet

Shumë fëmijë zgjodhën të shtunën sheshet e Prishtinës dhe u bënë pjesë e aktiviteteve të ndryshme për ta festuar ditën e tyre. Ata vizatuan e ngjyrosen fytyrën me figurat e preferuara, bën fotografi dhe u shoqëruan me maskota, e pastaj marshuan disa me veshje kombëtare e disa me uniforma të Policisë. 

Nxënësja Vanesa Bunjaku, ka treguar për aktivitete që i ka realizuar gjatë së shtunës me fëmijët e tjerë.

“Në faqe kemi vizatuar lloj-lloj karaktere të ndryshme. Unë kam zgjedhur fluturën, disa kanë bërë mini mouse, që është personazhi i një filmi vizatimor, hello kity e shumë të tjera”, ka thënë Bunjaku.

E Doa Avdyli, e cila mbante të veshur uniformën e Policisë së Kosovës, u shpreh e lumtur për festën e 1 Qershorit. Tha se uniforma i pëlqen shumë.

E derisa në sheshe po mbaheshin manifestime, brenda ndërtesës së Qeverisë u mblodh komiteti ndërministror për të drejtat e fëmijëve. 

Në takim morën pjesë edhe fëmijë me aftësi të kufizuara e përfaqësues të shumë organizatave që avokojnë për të drejtat e tyre. 

Ersa Kërveshi tha se ndodhet në tryezë për të përfaqësuar zërin e fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe për të adresuar sfidat e përbashkëta.

“Disa vendime duhet të merren edhe nga ju që jeni prezentë. Këtu janë disa çështje që po na brengosin. Nuk kemi shumë shërbime adekuate shëndetësore dhe edukative, nuk kemi shkolla plotësisht të qasshme, as me pajisje teknologjike që na e lehtësojnë mësimin, na e bëjnë ditën më të lehtë për neve, apo ta bëjnë ditën më të mirë të ndihemi në klasë”, ka thënë Kërveshi. “Nuk kemi mjaftueshëm mësues asistentë, nuk kemi transport të siguruar për pjesëmarrje në shkollë, e lista vazhdon me radhë. Nuk është aq e komplikuar nëse mendoni më shumë për ne, na kuptoni nevojat tona dhe ndërmerrni hapa për të përmirësuar jetën tonë”.

Institucionet u kritikuan edhe për mospërmbushje të kërkesave të fëmijëve me aftësi të kufizuara. 
Eldin Gashi, mentor i grupit “HËNA” që vepron në HANDIKOS, ka thënë se ishte pjesë e një takimi të ngjashëm edhe vitin e kaluar, porse që nga atëherë nuk sheh zhvillime pozitive dhe adresim të problemeve nga institucionet.

“Na është premtu që kanë me u punësu asistentë personalë, por që gjatë viteve janë punësuar veç 10 asistentë në krejt Prishtinën, ndërsa veç në shkollën ‘Ismail Qemali’ janë 44 fëmijë me aftësi të kufizuara”, ka thënë Gashi. “Nuk kisha dashtë veç me na pranu edhe me mbajt një mbledhje të tillë, por me na u plotësu ato kushte edhe ato që jemi duke i kërku nuk janë luks për neve, por janë e drejtë bazike që me qenë pjesë e gjithëpërfshirjes”. 

E përfaqësues të qeverisë dhanë zotimin se do të reflektojnë në raport me kërkesat e shtruara.

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka thënë se është shënuar progres në rritjen e hapësirave të shkollave, çerdheve e në qasje të barabartë dhe gjithëpërfshirëse. 

“Çdo fëmijë ka të drejtë për një arsim cilësor, të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Për këtë arsye ne jemi të përkushtuar që të sigurojmë që çdo shkollë, çdo klasë dhe çdo mësues të jetë burim i njohurisë dhe mbështetjes për secilin nxënës”, ka thënë Kelmendi.

Në këtë takim ndërministror u prezantua edhe një platformë elektronike në shërbim të të drejtave të fëmijëve, e cila pritet të lansohet javën e ardhshme.