Arbëri

Fëmijët e komuniteteve RAE nuk mund ta ndjekin mësimin online

Janë bërë gati dy muaj qëkur ka filluar mësimi në distancë shkaku i koronavirusit.

Megjithatë, Ministria e Arsimit ende nuk ka informacione se sa fëmijë në gjithë vendin nuk kanë mundësi ta ndjekin këtë proces mësimor, transmeton KOHA.

Vetëm në Komunën e Shtimes më shumë se 100 nxënës nuk kanë qasje në E-mësim shkaku i mungesës së pajisjeve teknologjike.

Tre fëmijët e Arben Osmanit janë në mesin e nxënësve që nuk po e përcjellin mësimin në distancë.

Por, zyrtarë të kësaj komune kanë thënë se janë duke punuar që t’i sigurojnë pajisjet teknologjike për këta fëmijë.

Njohës të arsimit në vend thonë se Ministria e Arsimit do të duhet që të fokusohej në sigurim të qasjes në mësim nga distanca.

Përderisa nga organizatat që merren me të drejtat e fëmijëve të komuniteteve rom ashkali dhe egjiptian thonë se edhe në kushte normale këta fëmijë janë lënë anash e tash kjo është edhe më e dukshme.

Sipas Teach For Kosova, MASHTI ende nuk e ka një plan se si do të bëhet procesi i notimit për të gjithë nxënësit, marrë parasysh që një pjesë nuk kanë qenë pjesëmarrës të procesit të mësimit në distancë.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, Ministria e Arsimit ka thënë se meqë mësimi në distancë është një risi jo vetëm për Kosovën, është e natyrshme se procesi përcillet me sfida të caktuara.

Në përgjigjen e kësaj ministrie thuhet se, sipas raportimeve, vijueshmëria është në nivel të lartë (mbi 90%), megjithatë sfidë mund të konsiderohet mungesa e pajisjeve teknologjike apo mungesa e qasjes në internet për një numër të caktuar familjesh.