Shumica e shërbyesve civilë të nivelit qendror kanë hyrë në grevë njëorëshe në shenjë pakënaqësie me Projektligjin për Pagat.
Ata kanë dy kërkesa; rritjen e koeficientit për 40 për qind dhe njohjen e statusit të ish-punëtorëve të viteve ‘90.
Kryesindikalistët, të cilët i kanë vizituar shërbyesit civilë në nivelin qendror gjatë mbajtjes së grevës, kanë thënë se që të gjithë punëtorët i janë përgjigjur asaj, raporton KTV.
Por, deklaratat e dy sindikatave të tjera se të gjithë shërbyesit civilë i janë përgjigjur pozitivisht grevës, i ka demantuar Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë.
Sipas kryetarit të saj, kjo federatë nuk është pjesë e grevave të thirrura nga sindikatat e tjera, e të cilat, siç ka thënë ai, përfaqësojnë vetëm një pjesë të shërbyesve civilë.