Një deklaratë nga zyrtarë të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” se nuk lejohet peshkimi në Liqenin e Badocit ka nxitur reagimin e Federatës së Peshkatarisë, nga e cila thonë se përpos ligjore, veprimtaria e tyre është edhe e dobishme për Liqenin
Në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” kanë bërë thirrje që të ruhet e të mos ndotet Liqeni i Badocit, si burim i ujit të pijshëm për mijëra qytetarë.
Ndër veprimtaritë që po konsiderohen ilegale, nga zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, është parë edhe peshkimi.
“Nuk lejohet as peshkimi, nuk lejohet larja e qytetarëve në ujin të cilin e marrim për pije”, ka thënë ajo.
Por kjo deklaratë ka hasur në reagim të ashpër të peshkatarëve. Milaim Vitia, kryetar i Federatës së Peshkatarisë, ka thënë se aktivitetin e tyre e zhvillojnë plotësisht brenda kornizës ligjore dhe, sipas tij, kontribuojnë në ruajtjen e liqenit.
“Ne merremi me konfiskimin e motorëve të anijeve që funksionojnë me benzinë, të cilat janë të ndaluara në ujërat e pijshëm, merremi me konfiskimin e rrjetave të gjatësive 100-200 metra. Vitin e shkuar i kemi 21 mijë metra të konfiskuara, e nga janari deri tash janë 10 mijë metra rrjetë të konfiskuar”, ka thënë Vitia.
E, Besim Azemi që merret me peshkim tash e 50 vjet thotë se peshkatarinë e konsideron si pasion e madje edhe si meditim.
Azemi thotë se me metodat që peshkon ai me kolegë nuk e dëmtojnë biodiversitetin e liqenit.
“Liqeni nuk dëmtohet nga peshkimi me shkop ose me kallam. Dëmtohet me mënyra të tjera, të egra ose të paligjshme, siç janë eksplozive të ndryshme, me rrjeta që është e palejueshme, sigurisht që e dëmton”, ka thënë Azemi.
Badoci është liqen artificial, nga ku furnizohen me ujë të pijshëm mijëra banorë të Prishtinës dhe të komunave përreth.