Arbëri

FDHK-ja prezanton udhëzuesin për strategjinë kombëtare të drejtësisë

 

Të hënën u prezantua udhëzuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovës (FDHK), i quajtur “Drejt një strategjie kombëtare të drejtësisë trazicionale për Kosovën”.

Besnik Beqaj, hulumtues në fond, tha se strategjia duhet të ndikojë në mbështetjen e drejtësisë, të ofrojë barazi gjinore gjatë procesit dhe të ofrojë korniza realiste të kohës.

“Angazhime i shoqërisë civile është pjesë e rëndësishme në këtë proces. Strategjia duhet të ndikojë në mbështetjen e drejtësisë. E drejta për të ditur përfshin të drejtën e viktimave dhe të familjeve për të ditur të vërtetën”, tha Beqaj, derisa njoftoi se në kuadër të kësaj të drejte, janë disa objektiva.

“Forcimi dhe mbështetja e iniciativave ekzistuese dhe të reja të shoqërisë. Krijimi i organizmave institucionalë të gjetjes së fakteve dhe tregimit të së vërtetës. Vendosja e udhëzimeve dhe standardeve të rrepta për memorial përmes legjislacionit”, janë ndër objektivat e nxjerra të këtij udhëzuesi të FDHK-së.

Në prezantimin e këtij udhëzuesi pjesëmarrëse ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.