Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) ka publikuar një raport mbi ecurinë e gjykimeve para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë (DHSK) për periudhën korrik - dhjetor të vitit 2023.
Sipas këtij raporti gjatë kësaj periudhe katër personat janë arrestuar për pengim të administrimit të drejtësisë apo ndikim në dëshminë e dëshmitarëve të prokurorisë për rastet të cilat lidhen me rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve.
FDHK-ja ka vlerësuar se dëshmitarët nuk duhet të ndikohen nga persona të tretë dhe ata duhet të dëshmojnë lirshëm për ato çfarë kanë parë apo përjetuar.
“Veprime të tilla japin një mesazh jo të mirë se dëshmitarët ende nuk janë të sigurt që të japin dëshmi në rastet konkrete lidhur me veprat penale të krimeve të luftës apo krimeve kundër njerëzimit”, thuhet në njoftim.
Në raporti thuhet gjithashtu se institucionet e Kosovës duhet të gjejnë mekanizma dhe mënyrë që t’i kompensojnë të gjitha palët e dëmtuara pas përfundimit të rasteve gjyqësore, pasi kjo e drejtë është e garantuar me ligj dhe jo kompensimet e viktimave të mbeten vetëm në letër.
Sipas FDHK-së për dallim me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, në gjashtëmujorin e dytë DHSK-ja ka qenë më transparente, pasi që seancat gjyqësore kanë qenë më të hapura për publikun.
“Kjo praktikë duhet të vazhdon sepse opinioni ka të drejtë t’i dëgjon deklaratat e dëshmitarëve por gjithnjë gjykata duhet të kujdeset që vetëm informata të cilat ndikojnë në zbulimin e identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur të redaktohen dhe jo e tërë dëshmia e dëshmitarit”, thuhet në njoftim.
Sipas raportit politika ndëshkimore apo zbatimi i ligjit më të favorshëm penal me rastin e shqiptimit të dënimeve në rastet e krimeve të luftës është ende mjaft kritik dhe jo mjaftueshëm i qartësuar për opinionin dhe për juristët në Kosovë.
“Gjykata Supreme e DHSK duhet të jep një mendim juridik se pse Ligji Penal i RSFJ nuk zbatohet si ligji penal më i favorshëm me rastin e shqiptimit të dënimeve për veprat penale të krimeve të luftës, gjithnjë duke e pasur në konsideratë edhe Rregulloren e UNMIK 24/1999, pasi që ky ligj është aplikuar nga prokurorë dhe gjyqtarë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë e po ashtu qëndrim të njëjtë e kanë edhe gjykatat vendore në Kosovë, se ligji më i favorshëm penal në rastet e krimeve të luftës në Kosovë është Ligji Penal i RSFJ-së”, thuhet në raport.
Në raport thuhet se gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore janë trajtuar shtatë raste: Prokurori kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve; Prokurori kundër Pjetër Shalës; Prokurori kundër Salih Mustafës; Prokurori kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt; Prokurori kundër Sabit Januzit dhe Ismet Bahtijarit; Prokurori kundër Isni Kilaj; dhe Prokurori kundër Haxhi Shalës.