Sa herë që vjen 15 janari, rikthehen dhimbjet e kujtimet për një ndër momentet më të rënda që ka përjetuar populli i Kosovës.
Masakra e Reçakut, njëra nga dëshmitë më të mëdha të krimeve serbe në Kosovë, edhe 21 vjet pas, ngjall zhgënjim për drejtësinë e munguar, raporton KTV.
Por, për masakrën që numëron 45 viktima, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi se ajo ka ndodhur, duke e quajtur fabrikim.
Madje, e kishte quajtur trillues të masakrës ish-ambasadorin e OSBE-së, William Walker.
Për mohimin e masakrës së Reçakut, ish-ministri i Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, është dënuar me 2 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Todosijeviqi e kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut dhe shqiptarët terroristë.
Në anën tjetër, zhgënjimi më i madh është që kryerësit e masakrave nuk kanë dalë para drejtësisë.
Këtë situatë, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka thënë se e ka sjellë mosbashkëpunimi i prokurorive të Kosovës dhe Serbisë.
Ka përmendur gjykimin e një ish-polici serb në Kosovë gjatë vitit 2002, ku u dënua me 15 vjet burgim.
Shtetet anëtare të QUINT-it, gjatë së martës, kanë kujtuar masakrën e Reçakut, duke thënë se kjo bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe t’i japin fund një katastrofe humanitare.