Arbëri

FDH: Dënim tepër i butë për krimin aq të rëndë në Tërnje të Suharekës

Foto: Koha / ilustrim

17 prill - Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd (FDH) përmes një komunikate për opinionin e ka quajtur të gabuar vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit në lidhje me krimin e kryer në Tërnje, e cila pas vlerësimit të fakteve e ka liruar nga përgjegjësia Pavle Gavrilloviqin, ndërsa dënimi i shqiptuar për Rajko Kozlinën thotë se është tepër i ulët në krahasim me peshën dhe pasojat e krimit që ka kryer, raporton FoNet, transmeton Koha.net.

Në komunikatë FDH rikujton se Gjykata e Lartë të martën ka marrë vendim që ta lirojë Gavrilloviqin, ndërsa Kozlinën e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 15 vjet burgim për krimin e kryer në Tërnje më 25 mars të vitit 1999.

Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë më 2013 ka ngritur aktakuzë kundër dy ish-pjesëtarëve të Batalionit 549 të Brigadës së Motorizuar së Ushtrisë Jugosllave - Pavle Gavrilloviqit dhe Rajko Kozlinës, për krimin e kryer në Tërnje (afër Suharekës) më 25 mars të vitit 1999, ku u vranë së paku 31 civilë shqiptarë, ndër të cilët një shtatzënë dhe shtatë fëmijë.

Gavrilloviqi akuzohej se, se në cilësinë e komandantit u kishte dhënë urdhër eprorëve të batalionit që e komandonte, ndër të cilët ka qenë edhe Rajko Kozlina, që të sulmojnë fshatin Tërnje, duke u thënë "nuk guxon të mbetet ndonjë i gjallë", ndërsa Kozlina, bashkë me pjesëtarët e grupit sulmues që i kishte nën komandë, këtë urdhër e kishte realizuar, thekson FDH.

Kjo OJQ thekson se Gjykata me rastin e marrjes së vendimit në lidhje me këtë rast nuk u ka besuar pohimeve të disa pjesëtarëve të Brigadës 549 se Gavrilloviqi kishte dhënë urdhër që në atë 25 mars të vitit 1999 në fshatin Tërnje "nuk guxon të mbetet ndonjë i gjallë", ndërsa sipas vlerësimit të Gjykatës, duke pasur parasysh se atë ditë nuk ishin vrarë të gjithë banorët e Tërnjes, porse diku dy ditë pas kësaj ngjarjeje kishin shkuar në fshatin fqinj, nuk mund të konsiderohet se urdhri i Gavrilloviqit ishte zbatuar.

Gjykata ka konstatuar se Kozlina është përgjegjës për vrasjen e 15 personave dhe për shkaktimin e plagëve trupore dy civilëve shqiptarë në fshatin Tërnje, transmeton Koha.net komunikatën e FDH-së.

Me rastin e shpalljes së dënimit Gjykata si lehtësi ka marrë rrethanat familjare të Kozlinës (se është i martuar dhe baba i një të mituri), se nuk është i dënuar më parë, se ndaj tij nuk zhvillohet ndonjë procedurë tjetër penale, se në kohën e kryerjes së kësaj vepre ka pasur 23 vjet, se është i punësuar, si dhe kalimin e kohës - nga koha e kryerjes së krimit kanë kaluar 20 vjet, thekson komunikata.

Nga ana tjetër, si rrethanë rënduese Gjykata ka vlerësuar se në këtë krim është vrarë një numër i madh civilësh, ndër ta ka pasur edhe fëmijë. Gjykata ndërkaq u ka dhënë përparësi rrethanave lehtësuese kundruall fakteve se Kozlina ka vrarë në mënyrë të skajshme bizare gra e fëmijë, thekson Fondi për të Drejtën Humanitare.

tepër i butë për një krim kaq të rëndë është edhe një fakt në favor të pohimit se institucionet në Serbi, që janë kompetente për procedimin e krimeve të luftës, nuk kanë bashkëndjenjë elementare me familjet e viktimave të krimeve të luftës, të cilat dy dekada pas konfliktit edhe më tutje nuk mund të marrin epilogun e drejtësisë, përfundon FDH, transmeton Koha.net.