Faturat që dëshmojnë lartësinë e pagesave për mbrojtjen e të akuzuarve aktualë dhe atyre potencialë nga Gjykata Speciale vazhdojnë të mbahen të fshehura nga Ministria e Drejtësisë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka quajtur të kundërligjshme fshehjen e shpenzimeve (IKD). Sipas IKD-së, qasja e Ministrisë për mbajtjen fshehtë të shpenzimeve nuk gjen bazë as në Ligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar e as në Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë.
“Kjo lë për të dyshuar se të akuzuarit pranë këtyre dhomave nuk po trajtohen apo nuk po financohen në mënyrë të barabartë dhe kështu lindin edhe dyshime për keqpërdorimin eventual të parasë publike”, ka thënë Yll Zeka gjatë prezantimit të raportit të IKD-së për fshehjen e këtyre informacioneve.
Në konferencën e fundvitit, ministri Selimi ka konfirmuar se disa prej të akuzuarve nga Specialja kanë kërkuar mbështetje financiare nga shteti. Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje për këtë çështje.
I pyetur nga KOHA ai nuk ka ofruar garanci se do të veprohet njëjtë edhe me faturat dhe emrat e personave që kanë përfituar.
“Sa i përket pjesës së detajeve të transparencës ndaj këtyre fondeve unë do të konsultohem me sekretarin dhe pjesën administrative se cila është mënyra e cila duhet të garantohet kjo transparencë në bazë të vendimit dhe udhëzimeve administrative. Por për shumën e cila do të ndahet jeni të sigurt se e kemi obligim që t’ua tregojmë taksapaguesve”, ka deklaruar Selimi në konferencën e fundvitit.
Selimi ka thënë se tash e ka të pamundur të ofrojë më shumë detaje, meqë, sipas tij, mund të dëmtohet mbrojtja e secilit të akuzuar.
“Komisioni ka filluar punën në shqyrtimin e këtyre kërkesave dhe shpresoj që gjatë kësaj jave të gjitha këto kërkesa që i kemi do të adresohen”, ka shtuar Selimi.
Këtë vit Qeveria ka ndarë 20 milionë euro për të mbrojtur të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë. Në emër të mbrojtjes juridike dhe mbështetjes financiare për të akuzuarit potencialë nga kjo gjykatë, për dy vjet janë harxhuar rreth një milion euro nga buxhetit i shtetit.
IKD-ja i ka rekomanduar Qeverisë që të gjithë procesin e mbrojtjes juridike dhe mbështetjes financiare të të akuzuarve në proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara ta bëjë duke u bazuar në parimet e transparencës, llogaridhënies dhe barazisë. Po ashtu, Ekzekutivit i është kërkuar që ndihma financiare për të akuzuarit të mos jepet në mënyra selektive dhe të mos krijohen të akuzuar të “privilegjuar”. Në këtë frymë, IKD-ja i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i bëjë publike të gjitha dokumentet që ndërlidhen me asistencën financiare që u jepet të akuzuarve nga fondet publike të Kosovës.