Teksa po afron mbledhja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, e planifikuar për muajin e ardhshëm, në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar nëse ka angazhim që në agjendën e këtij takimi të përfshihet edhe aplikacioni i saj për anëtarësim në agjendën e këtij takimi. E, në Këshillin e Evropës nuk komentuan rreth aplikacionit të Kosovës duke thënë se agjenda e sesionit ministror nuk është miratuar ende
Kur ka mbetur një muaj deri në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, fati i aplikacionit të Kosovës për anëtarësim mbetet i paqartë.
Me gjithë interesimin e KOHËS, Qeveria e Kosovës nuk ka ofruar sqarime lidhur me veprimet e ndërmarra për përfshirjen e aplikacionit të Kosovës në takimin e majit.
E nga Këshilli i Evropës, të pyetur për aplikacionin e Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim kanë thënë se ende nuk është caktuar agjenda.
“Agjenda e sesionit ministror ende nuk është miratuar. Do t’ju mbajnë të informuar”, thuhet në përgjigje.
Sipas procedurave të Këshillit të Evropës, agjenda duhet të miratohet këtë muaj.
Çështja që ndikoi në vendimin për mospërfshirjen e Kosovës majin e vitit të kaluar në agjendën e Komitetit të Ministrave ishte mosprocedimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ky draft, i hartuar nga Bashkimi Evropian, nuk ishte dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga ana e qeverisë, ashtu siç pati kërkuar Bashkimi Evropian dhe shtete anëtare të Këshillit të Evropës.
Por në raportin e Dora Bakojanis, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosovës i përshkruhet si një “angazhim pas anëtarësimit”.
Një Komision i Këshillit po ashtu ka rekomanduar që të iniciohet procedurë monitorimi për Kosovën, për të siguruar respektimin e zotimeve dhe obligimeve që nga anëtarësimi i saj.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022, dhe procesi ka kaluar disa etapa të rëndësishme, përfshirë rekomandimin pozitiv nga Asambleja Parlamentare e Këshillit në prill të vitit 2024.
Vendimi final i takon Komitetit të Ministrave, organ që përfaqëson qeveritë e vendeve anëtare, i cili deri më tani nuk ka vendosur nëse kërkesa e Kosovës do të jetë pjesë e agjendës së mbledhjes së majit.
Shtyrja e votimit sjell paqartësi se kur do të mund Kosova në të ardhmen të futet në agjendën e Komitetit të Ministrave. Në të kaluarën ka pasur shtete, sikurse Bosnjë-Hercegovina që finalizimi i këtij procesi i ka marrë kohë gati pesë vjet.
Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, për t’u anëtarësuar Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.