Arbëri

Fata Qelaj e kujton foshnjën gjashtëmuajshe, homazhe për 147 viktimat nga masakra e Izbicës

Nga foshnje gjashtëmuajshe e deri në persona 102 vjeç, plumbat e granatat e ushtrisë serbe nuk kishin kursyer moshë e gjini në masakrën e Izbicës.

Në Memorialin e Izbicës, në mesin e qindra personave që erdhën për t’i kujtuar viktimat e masakrës, ishin edhe familjarët e Dafina Qelajt, vajza gjashtëmuajshe që u rivarros këtu vetëm në vitin 2017, pasi eshtrat e saj ishin gjetur në Petrovo Selo.

Fakti që tani e ka më afër, nënës së saj ia ka bërë më të lehtë dhimbjen, por ajo kërkon drejtësi për të.

Krimet mbi popullsinë civile në Izbicë, ku ishte grumbulluar edhe një numër i madh banorësh nga fshatrat përreth, kishin vazhduar edhe në muajt tjerë.

Në Memorialin e Izbicës, janë të varrosura disa viktima nga familja Shala.

Burim Shala, nga Broja e Skënderajt, vetëm 14 vjeç në majin e vitit ‘99, ishte me vëllezër e familjarë të tjerë në malet e Izbicës, i ndarë nga familja e ngushtë, dhe fare lehtë kishte mundur të përfundonte në mesin e tyre.

Bashkë me të ishin edhe dy vëllezërit e Ferat Shalës, Milazim e Xhevat Shala, dhe më 11 maj, forcat serbe kishin hedhur një arsenal granatash në drejtim të tyre, nga të cilat fatmirësisht kishin shpëtuar.

Ai tregon se kur kishin pushuar granatimet, ushtarët serbë kishin filluar t’u ofroheshin dhe i vetëm kishte arritur të largohet nga vendi ku ishin fshehur, por vetëm pas tri ditësh e kishte marrë vesh se çka kishte ndodhur me familjarët e tij, përfshirë vëllanë, Lavdimin.

Eshtrat e Lavdimit, ai tregon se ishin gjetur gati 10 vjet më vonë, në një prej varrezave masive në Serbi.

Milazim Shala, njëri prej vëllezërve të Ferat Shalës, kishte arritur që për pak orë t’u mbijetojë katër plagëve që kishte dhe Ferati tregon për momentet e fundit të tij.

Në masakrën e 11 majit ishin vrarë 12 persona, e në mesin e tyre ishin edhe dy djemtë e Qazim Shalës, njëri prej të cilëve vazhdon të mbetet i pagjetur.

Sikur edhe me viktimat e 28 marsit, edhe të vrarët më 11 maj, ishin zhvarrosur nga serbët në tentimin për t’i humbur gjurmët e krimeve të tyre, e përveç në varreza masive në Serbi, eshtra të tyre janë gjetur edhe në lokacione brenda Kosovës.

Përveç nga Buroja e Leqina, në memorialin e Izbicës, në 147 varre pushojnë eshtrat e viktimave nga Vojniku, Kosterci, Jashanica, Polaci e të tjera fshatra të Drenicës.