Dyert e oborrit të familjes së ish-presidentit Hashim Thaçi u hapën për mysafirë.
Derisa në Hagë të hënën në mëngjes nisi procesi gjyqësor ndaj Thaçit e të tjerëve, në fshatin Burojë familja e tij ishte e gatshme të priste miq e familjarë.
Për nisjen e gjykimit nuk pranuan të deklaroheshin familjarë të Thaçit, por prapa kamerave thanë se nga ky proces presin drejtësi.
Sikurse familja, përmes ekranit, procesin e përcolli edhe Ismajl Syla, që për vite ishte këshilltar i Thaçit.
“Në qoftë se kjo gjykatë do të marrë një vendim të gabuar, faktikisht do të dënohet tërë historia më e lavdishme e popullit të Kosovës, historia e themeluesve të shtetit të saj dhe do të thotë do të ishte një njollë e cila do të jetë e pariparueshme”, tha Syla.
Për dallim nga familja e Thaçit, në lagjen “Bair” të Mitrovicës, ku jetojnë familjarë të ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dyert e shtëpisë ishin të mbyllura e lëvizje nuk kishte.
Të mbyllura ishin edhe në vendlindjen e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, në Negroc të Drenasit. Vëllezërit e tij, të kontaktuar nga KOHA, nuk kanë pranuar të komentojnë procesin.
Kritika ndaj gjykimit kishin qytetarët e Mitrovicës, të cilët janë të bindur në pafajësinë e krerëve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë.
“Është turp i madh që janë në Hagë, ata janë kanë për çlirimin e Kosovës, për atdhe, për popull, por janë në gjykatë. Atë gjykatë dihet kush e ka bo-Serbia. Shumë është keq edhe për popullin tonë, edhe për Kosovën, edhe për atdheun që gjykohen”, tha qytetari Mon Peci.
“Pasha Zotin, qysh po shkon puna s`po di as vetë. Shumë problem. Bash e ngova pak prokurorin, ato janë gjana që s`kanë të bojnë me ta, por s’ki çka bon. Mos të rroktë i forti përpara se s`ki çka”, tha qytetari Xhevat Kelmendi.
“Po pritet të jenë të pafajshëm e krejt kjo është pasojë e qarqeve serbe e argatëve të tyre të Serbisë të bëjnë propagandë ndaj popullit shqiptar”, tha qytetari Naser Hasani.
Bashkë me Thaçin, Veselin e Krasniqin, në Hagë po gjykohet edhe Rexhep Selimi, ish-deputet i Vetëvendosjes.
Mësuesi i tij, Fadil Shabani, Selimin e përshkruan si nxënës të shkëlqyeshëm e atdhedashës.
“Na me indinjatë të thellë e presim dhe dëshira jonë, siç e tregoi dje populli në Prishtinë, që fuqishëm e kundërshtoi gjykimin e tyre, krerëve, shokëve të Rexhep Selimit, të gjithë atyre që janë në Hagë. Ne qëndrojmë pas tyre dhe jemi fuqishëm për t’u liruar dhe për të ardhur pranë familjes dhe pranë vendit të vet që i kanë kontribuar aq shumë për të qenë të lirë e jo në burg”, tha Shabani.
Kthimin sa më parë të krerëve të UÇK-së e presin edhe në Skenderaj.
“E shoh një gjykim tradhtar të Evropës ndaj tipik Drenicës, jo Kosovës krejt, po Drenicës. Se Hashim Thaçi nuk është njeri që e ka vra kërkon, e njoh bukur mirë edhe Kadrinë, edhe të gjithë. Ata si fëmijë kanë dalë me luftu për këtë vend me çliru, jo me vra shqiptarë”, tha qytetari Halil Hasani.
“Është e padrejtë, se ma mirë u kanë me i çu Vuçiqin e Daçiqin, me i çu në Hagë, kriminelët e luftës, se shqiptarët e Republikës së Kosovës", tha qytetari Kujtim Sahiti.
“Gjykimi më i padrejtë në histori të njerëzimit, njerëz çlirimtarë që s`kanë bërë asnjë vepër të keqe me u gjyku për krime lufte, kur e din e tërë bota për gjenocidin që ka bërë Serbia këtu. Nëse drejtësia vërtet ndan drejtësi, ata janë të pafajshëm kanë me u liru”, tha qytetari Sadri Konjuhi.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë duke u gjykuar nga Speciale për krime lufte e krime kundër njerëzimit.