Arbëri

Familjarët e të rënëve në Betejën e Koshares me lot në sy thonë se institucionet i kanë harruar

Foto: Ksp

Në përvjetorin e 20 të Betejës së Koshares u kujtuan të rënët e saj. Familjarë të të rënëve me lot në sy deklarojnë se institucionet nuk kanë bërë e as nuk po bëjnë asgjë. Ndërkohë liderë institucionesh deklaruan se kujtojnë të gjithë të rënët e edhe masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë, madje folën edhe për ikjen e të rinjve.

Familjarë të dëshmorëve dhe shumë qytetarë nga vendi dhe rajoni kishin ardhur t’i kujtojnë të rënët në betejën me armikun serb në kufirin shqiptaro-shqiptar.

Sokol Çelaj me vaj në buzë kujton djalin e tij, Rifat Çelaj të rënë në betejën e Kosharës, por është i zhgënjyer me drejtuesit e institucioneve të shtetit që nuk kanë bërë sa duhet për familjet e dëshmorëve.

“Prej Gjermanisë ka ardh në luftë. S’kam ditë asgjë, veç kur me ka ftuar Rrustem Berisha, për me varros djalin. Unë e pritsha rrogën prej tij (djalit), por ai ishte vrarë këtu. Edhe pesë djem të tjerë i kam, ky pushtet nuk më ka ndihmuar asgjë. Të pestit i kam pa punë, edhe pse jam ngushtë shumë (materialisht). Askush nuk vjen me na vizitua. Nuk di çka u bë kështu”, tha Çelaj, raporton Kosovapress.

Ndërsa, vëllai i komandantit Agim Ramadani, Jashar Ramadani ka folur në emër të familjes së dëshmorëve, i cili vlerësoi lartë veprën dhe kontributin e të gjithë të rënëve në Koshare.

Ramadani tha se është bërë realitet ëndrra e Agimit për themelimin e ushtrisë.

“Jam i nderuar të flas sot para jush, jo vetëm si vëlla i Agimit, por jam një nga ju, dhe flas sot pas 20 viteve ku qëndrojmë pran tyre jemi më të lehtësuar, sepse e kemi edhe një amanet të realizuar në Kosovën tonë. Shokët mbajnë mend që Agimi u kishte thënë: ‘Edhe vetëm një ushtar nëse mbetet gjallë e ka për obligim ta formojë ushtrinë dhe të vazhdojë luftën’”, tha Ramadani.

E Bashkim Jasiqi, dymbëdhjetë vjeçar, në këtë përvjetor i ka kushtuar një poezi xhaxhait të tij, Bashkim Jasiqi, dëshmor.

“Sot më 9 prill erdha në varreza

Por ti vetëm më dëgjon dhe nuk më flet dot

Shpirti yt në qiell vetëm më shikon afër të madhit Zot

Shikoj borën që ka rënë mbi ty dhe them aty je axhi im

Ah sikur të kam mundësi të hidhem në përqafim

Ku do që jam, ku do që shkoj nga zemrat e vuajtur nga zemra jo kurrë nuk s’të largoj

Të kujtoj me mall, të qoftë dheu i lehtë aty ku pushon ti”.

Edhe Mustafë Fejzullahu nga Bajgora ka kujtuar vëllanë e tij dëshmor, Ali Fejzullahu të rënë në luftën çlirimtare në Koshare, i cili kishte ardhur nga Italia për të luftuar në Kosovë.

Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot është organizuar manifestimi Tradicional “Ditët e Shqipes – 2019”, për nder të 20-vjetorit të Betejës së Koshares.