Nënë e bir, të mbijetuar të masakrës së Tërnjes, po qëndrojnë në vendin ku forcat paramilitare serbe ua pushkatuan dy anëtarët tjerë të familjes, më 25 mars 1999.
Gjyle e Liridon Gashi, tmerrin që kishin përjetuar atë ditë nuk e kanë harruar asnjëherë, raporton KTV.
Liridoni, nga kjo masakër, mbeti pa babanë dhe motrën e vetme, e cila kishte qenë vetëm 13-vjeçare.
Pas 20 vjetëve, familjes Gashi, dhimbja i është shtuar kur dëgjoi për vendimin e Gjykatës së Beogradit.
Kjo gjykatë, për krimin e kryer në Tërnje të Suharekës ku u masakruan gjithsej 46 civilë shqiptarë, ka shpallur fajtor Rajko Kozlinën, të cilin e dënoi me vetëm 15 vjet burgim.
Familjarët janë të zhgënjyer që asnjëherë nuk morën përkrahje nga shteti.
Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë, në vitin 2013 kishte ngritur aktakuzë kundër Pavle Gavrilloviqit dhe Rajko Kozlinës, për masakrën në Tërnje.
Gavrilloviqi akuzohej se në cilësinë e komandantit, kishte dhënë urdhër që të sulmohej fshati Tërnje.