Në dy fshatrat e Drenasit, Poklek e Çikatovë të Vjetër, 24 vjet më parë forcat serbe masakruan 77 civilë shqiptarë, mes tyre edhe një foshnje 6-muajshe. Më pas trupat e tyre u dogjën. Familjarë e të mbijetuar thonë se mërzia po u rritet kur shohin se kryesit e këtyre veprave janë në liri
Tahire Muçolli nga Pokleku ka humbur katër vëllezër në masakrën e 17 prillit 1999, kur në këtë fshat dhe në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, u vranë 77 civilë shqiptarë nga forcat serbe.
Dhimbja është e madhe, por edhe krenaria, pasi thotë se falë gjakut të tyre sot Kosova është e lirë.
Ajo që e mërzit shumë dhe shpesh, është se kryesit e kësaj masakre nuk janë dënuar.
“Janë shku për më mbrojtë jetën e vet s’kanë mujtë i kanë kthyer në rrugë tu hypë në autobus...Masi jena kthy prej lufte, jemi ardhë këtu se kemi gjetë askënd, veç të djegun krejt, veç pluhurin”, tha Tahire Muçolli.
Në masakrën e 24 vjetëve më parë në dy fshatrat e Drenasit, forcat serbe nuk u mjaftuan me krimin që bënë. Më pas edhe i dogjën trupat e civilëve, ku mes tyre ishte edhe foshnja 6-muajshe - Lirie Muçolli.
Zelihe Muçolli thotë se nuk do të harrojë kurrë 17 prillin e vitit 1999. Thotë se po të kishte drejtësi, dhimbja do të lehtësohej.
“M’i kanë vrarë 14 anëtarë të familjes, babai, nëna , 4 motra, 2 kunata dhe 6 fëmijë të vllaznive edhe anëtarë të tre mixhallarëve 26 janë të vrarë krejt, gra e fëmijë ka pasur edhe mysafirë”, tha Muçolli.
Teuta Elshani humbi babanë, nënën dhe katër vëllezërit në masakër. Ende pa iu tharë lotët, asaj iu vra edhe gjyshi të nesërmen. Nga ajo ditë, thotë se ka humbur kuptimi i jetës për të.
“Ka qenë shumë e rëndë, unë kam qëlluar në Prishtinë në atë ditë, ajo ka qenë edhe arsyeja që kam shpëtuar, por është dashtë të vazhdojmë për hir të tregojmë të vërtetën çfarë ka ndodhur, mirëpo për fat të keq edhe sot pas 24 vitesh asnjë dokumentim, asnjë padi, asnjë gjykim për këtë masakër”, tha Elshani.
Për tmerrin e përjetuar 24 vjet më parë, foli edhe Petrit Morina, i mbijetuar në masakrën e Çikatovës së Vjetër. Atij iu vranë 6 familjarë.
“Ka qenë fat i Zotit, vështirë ka qenë, por mund të them që ka qenë mrekulli e Zotit me i shpëtu asaj masakre se ka qenë distancë diku 2 metra ku i kanë shprazë refalltë e automatikut”, tha Morina.
Morina tha se është intervistuar nga Tribunali i Hagës dhe EULEX-i, teksa shprehet i dëshpëruar që kryesit e masakrës, nuk kanë marrë dënimin e merituar.
U intervistua edhe Sokol Morina, që humbi dy vëllezër, dy nipa dhe familjarë të tjerë.
“Na kanë nxjerrë prej shpie na kanë qitë, grave ju kanë marrë pare, me zor ja u kanë marrë paret dhe neve na kanë qitë para pushkatimit. Kam nejtë 3 muaj ndër gurë, si gjarpri që thotë populli veç që mos me i ra shkaut në dorë”, tha Sokol Morina.
Në Prokurorinë Speciale, gjatë ditës së hënë nuk kanë dhënë detaje nëse po e hetojnë këtë krim serb apo se në cilën fazë kanë mbërritur.