Arbëri

Familja nga Vrapçiqi i Gjilanit në vetizolim

12 nga 14 qytetarët e Gjilanit, të cilët u konfirmuan pozitivë me Covid-19 janë udhëzuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre të vetizloluar derisa 2 prej tyre janë shtrirë në Klinikën infektive të QKUK-së.

1 prej tyre është vetizoluar në fshatin Zhegër, ndërsa 11 të tjerë të familjes Sh. tashmë janë izoluar në shtëpitë e tyre në fshatin Vrapçiq, fshatra këto që janë futur në karantinë.

Gjendja e tyre shëndetësore sipas drejtorit të Shëndetësisë në Gjilan është stabile dhe se Komuna u ka dalë në ndihmë. Derisa tashmë ka nisur gjurmimin e kontakteve që anëtarët e familjes Sh. kanë pasur me të tjerë dhe tashmë kanë listën e personave.

Doktoresha e QMF-së në fshatin Cërnicë të Gjilanit, Merita Ahmeti-Kastrati, ka rrëfyer për KTV-në se si një 50-vjeçare e kësaj familjeje kishte ikur nga ambulanca, kur asaj i ishte rekomanduar testi për Covid 19.

Ahmeti-Kastrati ka thënë se më pas edhe dy pjesëtare të tjera të kësaj familjeje i kishin fshehur simptomat e sëmundjes, derisa pak orë më vonë dolën pozitive me Covid 19.

Por për shkak të kontakteve që patën me të tjerë të infektuar, në vetizolim janë edhe 9 pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Gjilan. Derisa një tjetër është në karantinë.

Me qëllim të gjurmimit të kontakteve që kishin të infektuarit me persona të tjerë, IKSHP-ja një ditë më parë testoi 100 mostra, ku 26 prej tyre rezultuan pozitive. Në mesin e tyre 11 nga ta ishin nga fshati Vrapçiq i Gjilanit.