Përveç humbjes së burrit, Naile Brahimi tash një vit është detyruar të largohet edhe nga shtëpia në Gërdoc, në të cilën jetoi për më shumë se një dekadë. Bashkëshorti i Nailes u vra vitin e kaluar nga djali i xhaxhait, i cili u dënua me 17 vjet burgim për këtë vrasje. Familja dhe Prokuroria kanë apeluar vendimin, kërkojnë dënim më të rëndë
Pas 19 vjetësh, Naile Brahimi u detyrua ta lërë shtëpinë në fshatin Gërdoc, Komuna e Podujevës, ku jetoi së bashku me burrin dhe 3 fëmijët e saj.
Bashkëshorti i Nailes, Gazmend Brahimi, u vra nga djali i xhaxhait vitin e kaluar.
Pas vrasjes së burrit, ajo nga frika u detyrua të largohej nga shtëpia dhe tash rreth një vit së bashku me fëmijët jetojnë te prindërit e saj.
“Më ka lanë me 3 fëmijë jetimë, më kanë marrë trauma fëmija, unë nuk e di se si e kam përballuar, vetëm shkaku i fëmijëve jam gjallë. Më është dashur me e lanë shtëpinë, pasurinë, çka kam pasur e me dalë prej aty veç prej frikës”, shprehet Nailja mes lotësh.
Përveç asistencës sociale, ajo thotë se nuk ka ndihmë tjetër nga shteti.
“Ndihmesa më e madhe ka qenë familja, do Zoti i shpërblen vëllain tim e prindërit e mi, edhe vëllain që është jashtë, edhe ai është munduar. Edhe një social unë jam duke e marrë. Me atë jetoj, se asgjë nuk kam as prej shtetit”, thotë ajo.
Baki Brahimi gjatë muajit prill u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë e u dënua me 17 vjet e 10 muaj burgim për vrasjen e djalit të xhaxhait, si dhe për veprat penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm e armëmbajtje pa leje.
Me dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë nuk po pajtohet familja e të ndjerit, e cila tashmë ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.
Avokati i familjes së të ndjerit, Florim Shefqeti, thotë se ata nuk u ftuan nga Gjykata as në seancën fillestare e as në shpalljen e aktgjykimit.
“Ne me palën që kemi përfaqësuar, e njëjta ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe pas kësaj nuk është ftuar fare në shqyrtimin fillestar dhe meqë i akuzuari ka pranuar fajësinë është përfunduar si çështje në kuptim të procesit gjyqësor në shkallën e parë dhe ne nuk kemi pasur mundësinë të deklarohemi për kërkesën pasurore juridike e as për rrethanat renduese”, u shpreh ai.
E dënim më të ashpër për të akuzuarin nga Apeli ka kërkuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Lartësia e dënimit të shqiptuar nuk është adekuate për peshën e veprës së kryer penale për të cilën personi i akuzuar është gjykuar, nuk është proporcionale me rrezikshmërisë shoqërore, të cilën e kanë shkaktuar sjelljet dhe të bëmat e të akuzuarit Baki Brahimi dhe si e tillë, nuk mund të ndikojë si në vetë të gjykuarin ashtu edhe në persona të tjerë në mënyrë preventive se në të ardhmen nuk do të kryejnë vepra penale të njëjta apo të ngjashme”, thuhet në shkresën e Prokurorisë dërguar Gjykatës së Apelit.
Në lidhje me këtë çështje, KOHA ka provuar të kontaktojë edhe avokatin e të akuzuarit Brahimi, Azem Ejupi, mirëpo ai nuk ishte i qasshëm.
Në arsyetimin e aktgjykimit të Themelores në Prishtinë thuhet se si rrethanë lehtësuese janë marrë gjendja e varfër ekonomike e të akuzuarit, familjar dhe baba i 4 fëmijëve, niveli i ulët i arsimimit dhe pranimi i fajësisë nga i akuzuari.
“Me rastin e përcaktimit të lartësisë dhe llojit të dënimit, Gjykata pati parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, që ndikojnë në lartësinë dhe llojin e dënimit, kështu që gjykata ia mori parasysh si rrethanë lehtësuese gjendjen e varfër ekonomike, familjar dhe baba i 4 fëmijëve, nivelin e ulët të arsimimit”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore.
Megjithatë, në këtë shkresë 4-faqeshe nuk është marrë parasysh askund fjala e familjes së të ndjerit.
Baki Brahimi u shpall fajtor për shkak se “më 18 tetor 2021, në mënyrë mizore dhe me qëllim të përfitimit të dobisë materiale ka privuar nga jeta djalin e xhaxhait të tij, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake mes vete”.
I pandehuri një herë e kishte goditur me veturë të ndjerin, por pastaj është kthyer dhe e ka qëlluar me armë zjarri në kokë.