Qendra për Punë Sociale (QPS) në komunën e Kamenicës është duke zhvilluar procedurat për caktimin e kujdestarit të përkohshëm për tre fëmijët të cilët kanë mbetur pa përkujdesje ngase javën e kaluar nëna e tyre është vrarë nga babai i cili tani gjendet në burg. Një punëtor nga QPS-ja do të caktohet kujdestar i përkohshëm. Nuhi Maroca (42 vjeçar) ka vrarë bashkëshorten e tij Sabile Marocën (34 vjeçare) duke e goditur me shufër metalike në kokë pasi paraprakisht në mes tyre kishte pasur një grindje e që kishte plasur në shtëpinë ku ata jetonin në fshatin Berivojcë.
Por familja e dorasit ka parashtruar kërkesë në QPS-së ku shprehen të gatshëm të kujdesen për tre fëmijët deri në moshën madhore. Fëmijët momentalisht janë strehuar tek kjo familje pasi kishte ndodhur krimi, raporton KOHA.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Rifat Hajdari deklaron se ata janë duke shqyrtuar kërkesën e familjes Maroca. Ai deklaron se familja Maroca nuk është në pozitë të mirë financiare por për QPS-në është e rëndësishme shprehja e vullnetit për përkujdesje gjersa familja do të ketë mbështetje financiare nga shteti.
Megjithatë ata do të vlerësojnë edhe kushtet e banimit ku mendohet se do të kalojnë kohën fëmijët. Familja Maroca gjegjësisht vëllezërit, babai dhe nëna e dorasit jetojnë në një shtëpi në lagjen “Malësia” e cila nuk është pronë e tyre për të cilën paguajnë qira.
“Njëri nga vëllezërit ka shprehur gatishmëri që të kujdeset për fëmijët. Nuhiu ka dy vëllezër ka babanë dhe nënën. Përveç këtyre tre fëmijëve në atë shtëpi nuk ka tjetër fëmijë. Nuk i kanë edhe aq mirë kushtet e ekonomike por sa i përket kujdestarisë për fëmijët ata do të paguhen nga shtetit. Por do të vlerësojmë edhe kushtet e banimit dhe pas kësaj do të vendosim rreth kësaj çështje. Mendimi jem është që fëmijët duhet të qëndrojnë në trungun familjar por për të gjitha këto do të vendosim më vonë” ka thënë ai.
Hajdari ka vizituar familjen Maroca dhe nga ajo çfarë ka parë është se ata janë të tronditur emocionalisht me ngjarjen e cila ka ndodhur.
Probleme emocionale ka edhe vajza 4 vjeçare e çiftit Maroca e cila po e ndjen mungesën e prindërve.
Për drejtorin e QPS-së pozicioni i tyre nuk është i lakmueshëm ngase ata nuk kanë psikolog i cili do të ishte në gjendje të ofronte një shërbim tjetër. Ai thotë se pas vlerësimit të situatës ndoshta do të kërkojnë ndihmë nga komuna për sigurimin e një psikologu.
“Kam vizituar familjen dhe më është thënë nga familja që vajza po i kërkon prindërit. Dhe kam parë edhe babanë e Nuhit që gjatë gjithë kohës ka qarë. Janë të tronditur. Nuk kemi psikolog ndoshta do të kërkojmë ndihmë nga komuna dhe do të marrim një psikolog gjatë punës tonë në këtë rast. Komuna ka një psikolog dhe ai punon në sektorin e arsimit. Shumica e QPS-ve nëpër komuna nuk kanë psikologë” shprehet ai.
Thotë se rekrutimi i stafit dhe largimi i stafit në QPS-ë është kompetencë e komunës ngase punëtorët social paguhen nga buxheti i komunës. Gjersa pagesat për kategoritë sociale kryhen nga Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ai thotë se përveç mungesës së psikologut kanë mungesë edhe të veturave për terren dhe shqetësimin e tyre e kanë shprehur gjatë takimeve në nivelin lokal por edhe qendror. Ata kanë në dispozicion një veturë te vetme.
“Jemi vetëm 4 punëtorë të cilët punojmë në shërbimet sociale. Kemi vetëm një veturë dhe atë e ruajmë si sytë e ballit. Nëse na prishet dhe e dërgojmë në servis i tërë shërbimi jonë bllokohet. Dhe duhet të dalim në terren në këmbë ose me taksi ose me veturat tona. Kemi nevojë për dy vetura. Kemi shprehur shqetësimet tona por nuk kemi marr një përgjigje pozitive ende. Puna jonë është në terren duhet të vizitojmë familjet dhe Kamenica është një komunë që vendbanimet i ka të shpërndarë. Është e vështirë puna jonë”, ankohet ai.