Arbëri

Familja e 19-vjeçares i quan të montuara rastet e IKSHPK-së, të premten flet për rastin

Nazlije Sherifi nga Mitrovica e cila ishte në pritje të një transplanti të veshkës, ka vdekur të dielën. Këtë e kanë bërë të ditur familjarët e saj të dielën përmes rrjetit social Facebook.

Javë më parë ishte bërë apel për t’i dalur në ndihmë 19-vjeçares. Asaj i duheshin rreth 200.000 euro për trajtim në Turqi.

Mirëpo, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë të hënën përmes një njoftimi ka bërë të ditur se një 19-vjeçare ka vdekur si pasojë e infektimit me koronavirus.

Ajo renditet në listën e rasteve të vdekjeve në 24 orët e fundit nga COVID-19. Vdekjen e saj është konfirmuar edhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Në një përgjigje për KOHËN, QKUK-ja thotë se vajza ishte shtrirë fillimisht në Spitalin e Mitrovicës dhe më pas ishte transferuar në Klinikën Infektive.

“QKUK ju konfirmon se rasti në fjalë fillimisht ishte trajtuar në Spitalin e Mitrovicës, pastaj në Klinikën Infektive, ku ishte konfirmuar si Covid pozitiv nga Laboratori i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. E njëjta për shkak të përkeqësimit të gjendjes ishte transferuar në Mjekimin Intensiv-Covid, por përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor nuk kishte arritur të mbijetonte”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Vdekjen nga COVID-19 e kanë vënë në dyshim familjarët e Nazlijes. Vëllai i saj, Iliri, ka shkruar se IKSHPK-ja është duke i montuar rezultatet e rasteve.

“Falenderoj IKSHP-në për mashtrimet dhe montimin e rezultateve si ia do qejfi, do vij koha kur do demaskohen të gjithë ata që po tentojnë të bëjnë padrejtësi në këto ditë të rënda për ne”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.

Familjarët i kanë thënë KOHËS se lidhur me rastin do përgjigjen më gjerësisht të premten e kësaj jave.